Milaim Zeka: Premtimi më koti i kësaj fushate është i Albin Kurtit


Njohësi i çështjeve politike në vend, Milaim Zeka thotë se fushata elektorale nga ana e subjekteve politike, nuk është se ka ndryshuar nga ato të disa viteve më parë. Sipas tij, edhe përgjatë këtyre ditëve në fushatë nuk ka pas ndonjë risi. “Në fushatë nuk po shoh ndonjë risi, është një anarki e thellë totale. Jam shumë pesimist se do të ketë ndryshime. Janë njësojë, s’ka kurrëfarë dallime. Retorika e Albinit është njësojë…hajna, kriminelë e kështu njësojë”, ka thënë Milaim Zeka për IndeksOnline.

Zeka konsideron se është shqetësues fakti se si asnjëra nga partite politike nuk i ka dhënë rëndësi pandemisë, me të cilën po përballet e gjithë bota. “Është shqetësuese se si asnjëra nga partitë politike nuk po i jep rëndësi problemit global që është Covid-19, unë mendoj që pas kësaj do të futemi në kolaps si shtet”, ka thënë Zeka.

Sipas tij janë bërë premtime të ndryshme elektorale, e që shumë prej tyre janë absurde. “Premtimi më i kot është premtimi i Albin Kurtit, i cili nuk thotë se do ta forcojmë drejtësinë, ne do të bëjmë reforma në drejtësi, por thotë hajnat në burg. Ky duhet me i tregu se me çfarë mekanizmash ka me i dërgu hajnat në burg e që për mu ky ka qenë premtimi më i kotë i këtyre zgjedhjeve”, theksoi Zeka. Zeka nuk ka lënë pa përmendur edhe përplasjet e antarëve të VV-së në KQZ, me Valdete Deken.

“Gjendja më e rëndë që ka ndodh në këto zgjedhje është sulmi nga ana e Vetëvendosjes që po i bëhet kryetares së KQZ-së, mënyra e sjelljës së anëtarëve të KQZ-së që po i bëhet është bizarre, është frikësuese. Tash edhe manipulimet që gjoja po ua kërkojnë diaspores testin PCR, unë kam qenë para dy jave në Suedi para dy jave dhe kur kam ardh në Kosovë është desht me pas testin me veti gjë e cila nuk po shkon në mënyrën e duhur”, shtoi ai. Ndryshe, vlen të përmendim faktin se për zgjedhjet e 14 shkurtit, KQZ ka certifikuar 28 subjekte politkike.