Hoti: Sivjet e përmbyllim procesin e liberalizimit të vizave dhe njohjen nga Serbia


Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministër, Avdullah Hoti, tha të martën në Gjakovë, se me qeverisjen e LDK-së, gjatë këtij viti do të përmbyllet procesi i liberalizimit të vizave dhe do të përmbyllim procesin e njohjes reciproke nga Serbia, ashtu si ka kërkuar Presidenti amerikan, Joe Biden.

“Vendet e BE-së i besojnë qeverisjes së LDK-së si pjesë e Partive Popullore Evropiane. Ne kemi përkrahjen e partive simotra për të përmbyllur me sukses procesin e liberalizimit të vizave gjatë këtij viti. Ne gjithashtu kemi përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të përmbyllur procesin e dialogut me Serbinë, siç tha Presidenti Biden ‘me njohje recirpoke”, tha kryeministri Hoti.

Ai tha se si rezultat i Marrëveshjes së Uashingtonit që kam nënshkruar me presidentin Trump, Kosova do të përfitojë fonde në vlerë prej 1 miliard euro investime.
“Do ta realizojmë ëndrrën shekullore për lidhjen hekurudhore Prishtinë-Durrës. Në programin tonë do t’i kushtohet rëndësi përafrimit të legjislacionit kulturor, si dhe strategjisë për zhvillimin e kulturës në Kosovë, me ato të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian”, tha kandidati i LDK-së për kryeministër.

Ai tha se vitin e kaluar kemi nisur realizimin e disa projekte në Gjakovë, të cilat do të vazhdojnë edhe sivjet dhe vitin e ardhshëm.
“Kemi investuar në këto projekte: Ndërrimi i gypave të azbestit – çimentos në qytetin e Gjakovës; Riparimi i rrugës rajonale Istog-Pejë-Deçan-Gjakovë; Zgjerimi i rrugës Dollc – Gjakovë; Ndërtimi i qarkores se Gjakovës; Renovimi i Stadiumit të Qytetit në Gjakovë; Ndërtimi dhe Renovimi i infrastrukturës se Universitetit te Gjakovës”, tha Hoti.