Argjentina ka arritur në fazën e 1/8 të finales në Kampionatin Botëror.
Kombëtarja që cilësohej si me një këmbë jashtë Botërorit, triumfoi me rezultat 2:1 ndaj Nigerisë për të siguruar një të tetën e finales.
Argjentina arriti që të rikthehet pas turpërimit që e pësoi nga Kroacia duke e mposhtur Nigerinë në pesë minutat e fundit të ndeshjes të luajtur në “Saint Petersburg Stadium”.
Leo Messit iu deshën vetëm 14 minuta, që të gjejë golin e parë të tij në këtë Botëror dhe të kalojë Argjentinën në epërsi.Në pjesën e dytë, Nigeria u rikthye në lojë duke barazuar me golin e Victor Moses, të shënuar nga penalltia në minutën e 51′ të takimit.
Kur po dukej se Argjentina ishte shumë afër eliminimit, në skenë doli mbrojtësi Marcos Rojo, që shënoi golin e fitores në minutën e 86′.Argjentina pas kësaj fitore kualifikohet si e dyta nga grupi D. Në takimin tjetër, lider Kroacia triumfoi me rezultat 2:1 ndaj Islandës.