Në botë pandemia do të përfundojë mbas 7 vjetësh, në Izrael mbas 2 muajsh!


Pandemia e koronavirusit do të zgjasë edhe shtatë vite të tjera duke u bazuar në shkallën aktuale të vaksinimeve në të gjithë botën. Do të duhet kaq shumë kohë për të arritur imunitetin e tufës. Dr. Anthony Fauci thotë se ai do të arrihet kur 75 për qind e njerëzve në të gjithë botën do ta kenë bërë vaksinën. Izraeli tashmë ka vaksinuar 58.5 për qind të popullsisë së tij dhe është në rrugën e duhur për të arritur imunitetin e tufës brenda dy muajve me ritmin aktual prej 135,778 vaksinimesh në ditë. Ishulli i vogël i Seychelles, në brigjet lindore të Afrikës, aktualisht renditet i dyti në garën e vaksinimit, me 38.6 për qind të popullsisë së tij që kanë marrë një ose më shumë doza vaksinash.

Emiratet e Bashkuara Arabe, Britania e Madhe dhe Bahreini po e mundin SHBA-në në garën e vaksinimit duke injektuar 11.8 për qind ose më shumë të popullsisë së tyre. Me normën e saj aktuale prej 438,421 injektimesh në ditë, Britania e Madhe do të arrijë imunitetin e tufës përpara fundit të vitit. Por pandemia është një problem global dhe nëse një vend nuk e arrin imunitetin e tufës, virusi mund të eksportohet tek kombet e tjera, duke rrezikuar një ringjallje ndërkombëtare të sëmundjes.

Dhe një kërcënim tjetër është shfaqur: variantet ‘super-covid’.


Nëntë vaksina janë të autorizuara në të gjithë botën, dhe të paktën dy variante të virusit, ato që u shfaqën në Afrikën e Jugut dhe Brazil, mund të mos luftohen nga vaksinimi. Novavax, AstraZeneca dhe Johnson & Johnson janë secila rreth 60 për qind të efektshme kundër varianteve në Afrikën e Jugut dhe Brazil. Edhe efikasiteti i vaksinave të Moderna-s dhe Pfizer-it ndaj varianteve të reja është zvogëluar. Me variantet e reja dhe me vaksinimin e ngadaltë në shumë shtete, fundi i pandemisë nuk duket se është afër.