Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jern Rohde ka deklaruar se Kosova nuk ka nevojë të shkojë në zgjedhje të reja, mirëpo partitë duhet të ulen dhe të gjejnë zgjidhje. Rohde dëshiron që të mos ketë kriza politike pas epilogut zgjedhor të 14 shkurtit dhe Qeveria e re të fillojë seriozisht që “fjalët t’i zëvendësojë me vepra” duke e luftuar korrupsionin dhe krimin në mënyrë thelbësore.
Ambasadori gjerman thotë se gjëja e fundit që ju nevojitet kosovarëve ishin edhe një palë zgjedhje të reja këtë vit, nëse partitë nuk merren vesh me çështjen e presidentit.
“Së shpejti ne do të kemi zgjedhjet e treta të mbajtura dhe disa qeveri të formuara brenda tre vjetësh. Shumë e nevojshme është një qeveri stabile e cila, idealisht do të çonte në fund mandatin e saj të plotë legjislativ. Gjëja e fundit që iu nevojitet njerëzve në Kosovë do të ishin edhe një palë zgjedhje më vonë këtë vit, nëse palët nuk merren vesh për çështjen e presidentit të vendit”, thotë Rohde për KosovaPress.
Rohde thotë se është thelbësore që pas 14 shkurtit Kosova ta ketë një qeveri stabile që të punojë me përkushtim në zhvillimin e Kosovës në mënyrë që të ketë më shumë lajme të mira nga Kosova. Kujtojmë se Gjermania është vendi më i kërkuar nga kosovarët për të shkuar atje për të punuar ose jetuar.