Poicia kërkon ngasësin e furgonit, hetim për aksidentin që pësuan emigrantët


Ende gjendet në arrati ngasësi i furgonit i cili në mënyrë ilegale transportonte emigrantë. Dje në orën 16:15 ky furgon u përplas në gardhin mbrojtës së urës te miniera Buçim, ku humbën jetë 2 persona, ndërsa 18 të tjerëve u është dhënë ndihmë mjekësore për shkak të lëndimeve trupore të shkaktuara nga aksidenti. Policia e Strumicës kumtoi se po gjurmojnë pas ngasësin të veturës transportuese “Iveko” me targa të Shkupit.

Inspektimi i bërë nga ekipet hetuese duhet të zbulojë edhe arsyet që e kanë shkaktuar aksidentin.

“Gjatë kohës së inspektimit, prej orës 16:30 e deri më orën 20:40, trafiku ka qenë i ndërprerë. Pas urdhrit të prokurorit publik, trupat e pajetë janë dërguar në Institutin për mjekësi ligjore në Shkup. Po ndërmerren masa për gjetjen e ngasësit të automjetit dhe për zbardhjen e plotë të rastit”, tha Harizantema Rendevska, SPB-Strumicë.

Nga Prokuroria themelore publike e Radovishit, informojnë se me furgon janë transportuar gjithsej 23 emigrantë nga Bangladeshi dhe Sri Lanka. Automjeti transportues është lëvizur në rrugën magjistrale A4 në drejtim nga Radovishi në Shtip. Deri më tani për arsye të panjohura automjeti ka dalë nga korsia dhe me pjesën e përparme ka goditur në gardhin mbrojtës nga metali.

“Nga goditja, është thyer gardhi i metalit dhe ka hyrë në automjetin transportues, në pjesë ku kanë qenë të vendosur emigrantët, me ç′ rast dy persona kanë nderuar jetë, gjashtë persona kanë marrë lëndime të rënda trupore, ndërsa 15 persona kanë marrë lëndime trupore. Pas aksidentit, vozitësi i veturës është drejtuar në drejtim të panjohur”, nga PTHP Radovish.

Dymbëdhjetë të lënduar janë pranuar në Qendrën Klinike në Shtip, prej ku gjysma e tyre me lëndime më të rënda trupore.

“Kemi pranuar nga gjashtë pacientë në repartin për kirurgji dhe gjashtë pacientë në repartin për ortopedi. Nëntë prej tyre ishin me lëndime të rënda trupore. Kishin fraktura të ndryshme të ekstremiteteve, brinjëve etj. Kishte dy pacient të cilët ishin më gjendje jo stabile dhe ata ishin në repartin për përkujdesje intensive. Tani edhe ata janë mirë. Janë në gjendje stabile. Do t′i ndjekim, ndërsa në pjesë e tyre gjatë ditës janë lëshuar nga spitali”, u shpreh Drejtor i Qendrës Klinike Shtip, D-r Alen Gjorgiev.

Gjashtë persona janë dërguar në Shtëpinë Shëndetësore në Radovish, ndërsa policia mbrëmë rreth orës 22 në autostradë ka gjetur edhe 3 persona me lëndime trupore. Pas kontrollit në Radovish, dy persona janë dërguar në pyetje në stacionin policor.