Kurti premton 12 muaj pushim të lehonisë dhe pagë minimale për 6 muaj për lehonat e papuna

Lideri i VV-së dhe kandidati i kësaj partie për kryeministër, Albin Kurti, në shpalosjen e programit me të cilin do të garohet në zgjedhjet e 14 shkurtit, ka thënë se pushimi i lehonisë do të zgjatet në 12 muaj, nga nëntë sa është tash, ndërkohë që të drejtë pushimi do të kenë të dy prindërit. Po ashtu ka thënë se lehonat e papuna do të marrin për gjashtë muaj pagën mininale në Kosovë.

Gjithë kjo, nëse ai dhe VV-ja vijnë në pushtet.

Kurti ka thënë po ashtu se paga minimale do të jetë 250 euro dhe se ajo do të përjashtohet nga tatimi në të ardhura personale.

Kurti ka thënë se në planin e tij është paraparë ndërtimi i 160 çerdheve në gjitha vendet, si dhe shtesa mujore për fëmijët nën dy vjet nga 20 euro në muaj, e nën moshën 16-vjeçare nga 10 euro në muaj, që do të derdhen në llogari të nënave, pa pasur nevojë të paguhen tatime.

Ai ka folur edhe se do të hiqen pagesat dhe do të thjeshtohen procedurat për regjistrimin e pronës. E do të bëhet edhe rishikimi i tarifave për shërbimet kadastrale, e noteriale sa i përket pronës.

Kurti ka thënë edhe se zbutja e varfërisë është objektivi i tij. Ai ka thënë se krahas rritjes së përfitimeve nga skemat sociale, ka edhe shtesat për fëmijë. Po ashtu edhe punësime sezonale për një anëtar të familjes që janë përfshirë në skema sociale.

Kurti ka thënë se do të ndërtohen edhe pesë shtëpi kujdesi për pleqtë.