Samiti në Luksemburg, s’ka datë për fillimin e negociatave


Shuhen shpresat që vendi në Samitin e Këshillit Evropian që do të mbahet të enjten dhe të premten ta marr datën për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE.

Ministrat e Jashtëm të Unionit në takimin e Këshillit për Punë të Përgjithshme në Luksemburg përpiqen të arrijnë konsensus për dritë jeshile për Maqedoninë dhe Shqipërinë. Ministri i Jashtëm grek Nikos Kocias zbuloi se vendet janë të ndara në dy grupe, grupi i parë që mbështet çeljen e negociatave madje Samitin e vitit të ardhshëm dhe grupi tjetër pas reformimit të Unionit.

Janë dy grupe vendesh, një që është më i madhi, 25 vende, mbështet të hapë negociatat në Samitin e 2019-ës dhe 3 vende, Danimarka Holanda dhe Franca që thonë se duhet të shohin procesin, procesin evropian, stabilitetin dhe sigurinë e gjithë rajonit në Evropën Juglindore. Dhe kjo është shumë e rëndësishme për të gjithë BE-në. E di që disa vende frikësohen nga populizmi , po nuk mund të luftojmë populizmin me hapa pas. Disa vende kërkojnë integrim të thelluar dhe pastaj zgjerimin – tha Nikos Kocias, ministër i Jashtëm i Greqisë.

Franca dhe Holanda vijojnë të kundërshtojnë zgjerimin e Unionit. Ministri i Jashtëm i Holandës përpara takimit të sotëm tha se Shkupi dhe Tirana nuk kanë arritur progres të mjaftueshëm për një dritë jeshile sot.

Të dy vendet kanë bërë progres, një progres të rëndësishëm lidhur me shtetin ligjor dhe luftën kundër korrupsionit, por jo të mjaftueshëm. Secili vend ka arritjet e tij, por është shumë e rëndësishme që të dy vendet të paraqesin arritje në këto fusha.

Ne shpresojmë që të bëhet e mundur dërgimi i sinjalit që negociatat të fillojnë me të dy vendet, por është e rëndësishme që ato të tregojnë rezultate të mëtejshme në forcimin e shtetit ligjor. Ne nuk mbështesim ende një dritë jeshile sot, pasi edhe pse ka progres, progresi nuk është i mjaftueshëm. Ne duam të shohim arritje konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe shtetin ligjor – deklaroi Stef Bllok, ministër i Jashtëm i Holandës.

Ndryshe nga kolegu i tij holandez, ministri gjerman për Evropën Majkëll Roth tha se mbështet plotësisht datën për fillimin e negociatave.

Paqja dhe stabiliteti në Ballkan luan një rol shumë të rëndësishëm për të gjithë ne në Bashkimin Evropian. Ne i vlerësojmë përpjekjet që të dyja vendet kanë ndërmarrë për forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Qeveria gjermane është gati të mbështesë Shqipërinë dhe Maqedoninë në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian. Ne jemi gati që të dërgojmë një dritë jeshile dhe inkurajojmë miqtë tanë në Holandë dhe Francë që të na bashkohen – tha Majkëll Roth, ministri gjerman për Evropën.

Në të njëjtën linjë u shprehën edhe shefat e diplomacive të shumë vendeve të Unionit.

Personalisht, mendoj, që bëjmë gabim që nuk marrim një vendim të qartë për Shqipërinë dhe Maqedoninë sot. E di që ka disa kundërshtime. Ne u kemi dhënë statusin e vendit kandidat në 2014 Shqipërisë dhe Maqedonisë në 2005. Për mua është një gabim politik që të mos merret një vendim sot, por ndoshta do gjejmë një zgjidhje së bashku- u shpreh edhe Jean Asselborn, ministër i Jashtëm i Luksemburgut.

Ndërkaq në prag të takimit të shefave të shteteve të BE-së të enjën dhe të premten, kryeministri Zoran Zaev përmes një letre kërkon nga kolegët e tij evropian dritë jeshile për vendin. Sipas kryeministrit Zaev data për nisjen e bisedimeve do të jetë vendimtare për realizimin e Marrëveshjes me Greqinë dhe të ardhmen evropiane të vendit. Sipas Zaev nga sinjali pozitiv i Unionit varet referendumi i suksesshëm dhe ndryshimet kushtetuese.

Letra e kryeministrit Zaev drejtuar kryeministrave të BE-së
“Që të sigurohet realizimi i Marrëveshjes dhe përfitimeve të mundshme të saj për të dyja vendet, për rajonin e Evropës Juglindore dhe Evropën në tërësi, rëndësi të madhe ka mbështetja politike e shteteve anëtare të BE-së, të vërtetojnë me masa konkrete vizionin strategjik për të ardhmen evropiane të vendit tim dhe tërë rajonit”.

Mbështetje të fuqishme për zhbllokimin e proceseve integruese kërkoi edhe komisionieri evropian Johanes Han si dhe një grup eurodeputetësh të cilët theksojnë se BE duhet t’u tregojë dy vendeve ballkanike se mbështet përpjekjet e tyre për të ndërtuar shtet modern. Fjalën përfundimtare për datën e negociatave do ta japin shefat e shteteve të Unionit në Samitin e të enjtes dhe premtes.