Vuçiqi u drejtohet Kurtit dhe Osmanit: Erdhët për t’i fyer e poshtëruar serbët

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, vizitën në veri të kryetarit të LVV-së, Albin Kurti dhe ushtrueses së detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani e ka cilësuar si fyerje e poshtërim për serbët. Vuçiq i ka falenderuar serbët për reagimin, të cilin ai e cilësoi si “të përmbajtur”. “Ne duhet ta ruajmë paqen”, tha ai për televizionin serb, TV Prva.

“Ju erdhët te serbët për t’i poshtëruar, fyer dhe për t’u thënë serbëve: kjo nuk është e juaja, kjo është e jona. Serbët abstenuan dhe reagimi ishte verbal, nuk kishte dhunë fizike. Unë dua t’i përgëzoj sepse duhet ta mbajmë stabilitetin, jo sepse jemi më të dobët, por sepse paqja dhe stabiliteti na përshtaten më shumë, sepse Serbia po shkon më shpejt se kurrë. As marrëdhëniet rajonale dhe as bota nuk kanë ndryshuar kaq shpejt. Mundësia jonë është të bëjmë një rritje më të madhe tani”, tha Vuçiq.

Ai ka folur edhe për zgjedhjet në Kosovë, duke dhënë parashikimin e tij për rezultatin. “Tani ka histeri rreth zgjedhjeve, sepse pritet fitorja e koalicionit rreth Haradinajt”, tha Vuçiq. Sikurse Vuçiqi, dje reagoi edhe kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq. Ajo po ashtu i falenderoi serbët për reagimin, ndërsa tha se Kurti dhe Osmani deshën të marrin poena politikë.

Paraprakisht, drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se “plani i Kurtit dështoi”, ndërsa shtoi se lideri i LVV-së “dëshiron ta destabilizojë gjithë rajonin”. Albin Kurti dhe Vjosa Osmani vizituan të shtunën minierën “Trepça” në veri, ndërsa u raportua se kjo vizitë u ndërpre pas një reagimi të serbëve lokalë. Këtë e mohuan nga partia e Kurtit, por më pas dolën pamje ku shihet se vizita atje u përcoll me shumë tensione.