Haraçinë, 7 jetimët kthehen në shkollë! Kanë humbur mësimin derisa po prisnin shtëpinë e re


Shtatë jetimët nga Haraçina hyrën në shtëpinë e re. Shtëpia u ndërtua nga donatorët dhe shoqata bamirëse “Jetimët e Ballkanit”. Fëmijët tani do të mund ta vazhdojnë edhe shkollimin, të cilin e kishin ndërprerë për shkak se jetonin jashtë Haraçinës, derisa pritnin që të ndërtohet shtëpia. Xhaxhai i fëmijëve Valon Nebiu zotohet se do të kujdeset që këta fëmijë mos ta lënë shkollën dhe të vazhdojnë me mësimet.
“Po edhe fëmijët e kanë pasur pak rëndë, por tani janë më mirë, janë më rehat.Tani në shkollë do të vazhdojnë tre fëmijë dhe kur të vjen koha e regjistrimit do të duhet të regjistrohen edhe dy të tjerë”, deklaroi Valon Nebiu.

Tek shtëpia e fëmijëve erdhi edhe drejtori i shkollës fillore të Haraçinës. Ai premtoi se do të kujdeset për pajisjet elektronike dhe do të jetë në kontakt me kujdestarin e fëmijëve për të parë se si vijojnë mësimin.
“Jemi në bashkëpunim me Valonin kujdestarin e tyre. Një fëmijë e kemi me prani fizike kurse dy i kemi me mësim online. Tani jemi në gjendje që në bashkëpunim me Valonin që të iu ndihmojmë edhe me kompjuterët që i kemi të shkollës, do t’ua sigurojmë në shtëpi”, deklaroi Azam Aki – drejtori i shkollës në Haraçinë.

Në fillimin e vitit të ardhshëm shkollor edhe dy jetim të kësaj familje do të regjistrohen në shkollë. Këta fëmijë mbetën jetim pas një krimi që ndodhi vitin e kaluar brenda familjes.