USAID: Shpresojmë të miratohet legjislacioni për të drejtat e gruas në pronë


Zëvendësa Drejtorja e Misionit të USAID në Kosovë, Lisa Magno, tha sot se gratë në Kosovë dita- ditës po mësojnë për të drejtat e tyre në pronë.
Në një tryezë të organizuar nga BIRN në kuadër të projektit “Fuqizimi i grave për të kërkuar të drejtat e tyre në trashëgimi”, mbi të drejtat e pronës dhe trashëgimisë, zyrtarja e USAID tha se Kosova ka nevojë për reforma në këtë çështje.“Para një viti apo një viti e gjysmë, ambasadori (Greg) Delawie ndihmoi në nisjen e fushatës për të drejtat pronësore. Tani që po e implementojmë këtë strategji ka shumë gjëra për të cilat Kosova mund të jetë krenare, implementimi po shkon më shpejt se që kemi pritur”, tha Magno.

“Gratë anembanë Kosovës tani po mësojnë më shumë se cili është kuptimi i të drejtave të tyre dhe si t’i ushtrojnë të drejtat e tyre. Reformat e rëndësisë thelbësore në gjykatat e Kosovës po e zvogëlojnë kohëzgjatjen e lëndëve në të drejtat e trashëgimisë”, shtoi ajo.Ajo tha se shpreson që ky legjislacion të miratohet së shpejti duke i inkorporuar këto ndryshime.“Nuk mund t’ia lejojmë vetes të pushojmë asnjë ditë sa i përket kësaj pune. Kjo pako është para kuvendit për herë të dytë”, tha Lisa Magno.Në tryezë po marrin pjesë prokurorë, gjyqtarë, avokatë, noterë dhe përfaqësues te shoqërisë civile.Analiza dhe sugjerimet nga kjo tryezë do të përfshihen në përpilimin e kërkesës për ndryshim të ligjit, nga BIRN Kosova.Ky projekt mbështetet nga Programi Angazhimi për Barazi – E4E, i financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar – USAID dhe implementuar nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim – ATRC./kallxo.com