Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj zgjedhjet e 14 shkurtit po i konsideron referendum për anëtarësim në NATO, i cili sipas tij duhet të ndodh deri në vitin 2024. Në të kundërtën, pretendenti për president të vendit tha se zgjidhja e vetme mbetet bashkimi me Shqipërinë.
“Me 14 shkurt në një mënyrë është referendumi për NATO. Kujtë i konvenon Kosova në NATO, ju e dini është popullit të Kosovës, rajonit, por edhe NATO-së dhe aleatëve tonë të sigurisë. Kush është kundër dihet që është Rusia, Serbia dhe aleatët e tyre”, tha ai. Lideri i AAK-së tha se paralajmërimet për bashkim me Shqipërinë nuk i befasojnë as aleatët e Kosovës.
“Neve po na harxhohet koha e pritjes pa kufi për me u bërë anëtarë i NATOS-s si Kosovë, ose si shtet i pavarur ashtu siç jemi nis. Në këtë rast Kosovës i mbetet vetëm një rrugë, s’ka rrugë tjetër është bashkimi me Shqipërinë që është diçka e natyrshme që po vjen. Edhe aleatët e Kosovës të gjithë e kuptojnë se Kosova iu dha atyre kohë, iu dha 25 vjet se kemi thënë deri në vitin 2024 nuk jemi në dyer të NATO-s, atëherë nuk na mbetët tjetër pos me u marrë vesh për me hy të bashkuar.
Unë besoj se edhe aleatët tonë e vlerësojnë kohën që iu kemi dhënë opsionit për me hy në NATO si Kosovë e pavarur. Prandaj jam i bindur që do të na jepnin leje dhe përkrahje për bashkim me Shqipërinë. Pra kjo është një opsion real që mund të ndodh”, tha ai. Këto komente Haradinaj i bëri gjatë ditës sotme pas takimit me kategoritë̈ e dala nga lufta në Deçan.