Khabibi e kritikoi për humbjen tronditëse, McGregor i përgjigjet

Conor McGregor i është përgjigjur kritikave të Khabib Nurmagomedovit pas humbjes tronditëse me nokaut kundër Dustin Poirier, duke i bërë thirrje luftëtarit të pensionuar rus të rikthehet dhe të luftojë kundër tij në kafaz e jo me fjalë.
Edhe pas disfatës kundër Dustin Poirier të dielën, McGregor dëshiron rimeç me Khabib Nurmagomedovin.

Khabib – i cili u pensionua nga UFC-ja si kampion bote pas fitores kundër Justin Gaethje në tetor – e kritikoi ashpër McGregorin për humbjen e papritur në UFC 257.
“Ja çfarë të ndodhë kur e ndërron ekipin, kur i braktis partnerët stërvitorë, të cilët të kanë bërë kampion, për të stërvitur me kalamaj, shumë larg realitetit”, kishte shkruar Khabibi në Twitter drejtuar ish-rivalit të vet irlandez.

McGregor sqaroi pas meçit se “ekipi im ka qenë me mua që nga dita e parë”, por i bëri thirrje kampionit të tanishëm në kategorinë e lehtë të rikthehet në kafaz për të luftuar.
“Nëse ai dëshiron të bëjë komente pa kokërr respekti, atëherë le të rikthehet dhe ta bëjmë (luftojmë) përsëri. Unë jam këtu”, tha McGregor.

Ai shtoi: “Ajo është vetëm lu*ftë me fjalë. Nëse rikthehesh, riktheu. Provo dhe bëje. Kaq kisha”.
Nurmagomedov e kishte mposhtur McGregorin në vitin 2018, duke e detyruar të dorëzohej, si dhe e kishte mundur Poirierin në vitin 2019.