100 milionë doza vaksinë në 100 ditët e para të tij në krye të Shtëpisë së Bardhë. Ky është premtimi i presidentit të zgjedhur Joe Biden, i cili publikoi në detaje planin e tij të menaxhimit të pandemisë covid-19 dhe ekonomisë së goditur rëndë prej saj në 1 vit.
Deri më tani, Shtetet e Bashkuara kanë siguruar vetëm 11 milionë doza, prej të cilave 1.3 milionë qytetarë i kanë marrë tashmë të dy dozat e nevojshme. E ndërsa numri i viktimave dhe personave të prekur nga Covid-19 rritet dita ditës, me aq shpejtësi rritet edhe numri i të papunëve, me 965 mijë qytetarë që u regjistruan si të papunë vetëm javën e shkuar.
Biden i bëri thirrje kongresit që të rrisë pagën minimale në 15 dollarë në orë, si një ndihmë e parë për rimëkëmbjen nga kriza.
Presidenti i zgjedhur tha se menaxhimi i pandemisë nuk është një çështje politike, por vetëm shëndetësore dhe një akt patriotik për vendin. Presidenti tha gjithashtu se, me ekipin e tij, po shqyrtojnë mundësinë që vaksinat të kryhen edhe në farmaci.