Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë me dije se variant i ri i koronavirusit i shfaqur fillimisht në Mbretërinë e Bashkuar është përhapur në 22 vende evropiane. Ky mutacion i quajtur B117 është më i transmetueshëm dhe shfaq një kërcënim më të madh, sidomos në një moment kur Evropa ka filluar vaksinimin masiv të popullsisë.
“Deri tani ne po kuptojmë se nuk ka ndonjë ndryshim të rëndësishëm në sëmundjen që ky virus prodhon, që do të thotë se COVID-19 nuk është as më shumë as më pak i rrezikshëm. Transmetohet në të gjitha grupmoshat, teksa fëmijët nuk duken të jenë në rrezik më të lartë. Megjithatë sipas vlerësimit tonë ky mutacion shqetësues me kalimin e kohës mund të zëvendësojë variantet ekzistuese, ashtu sikurse shihet në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Danimarkë”, thotë Hans Henri P. Kluge, drejtor i OBSH për Evropën.
Gjithashtu, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se nëse vendet nuk mobilizohen që të punojnë më fort në lu*ftën kundër coronavirusit, atëherë “do të ketë ndikim në sistemet tashmë të lodhura të shëndetësisë”. Ndërkohë, Pfizer dhe BionTech kanë bërë me dije se vaksina e tyre është efektive edhe sa i përket mutacioneve të zbuluara në Mbretërinë e Bashkuar dhe Në Afrikën Jugore.
Kjo pasi sipas studiuesve dhe ekspertëve të kompanisë amerikane, medikamenti anticovid që kanë prodhuar mund të neutralizojë si coronavirusin ashtu edhe mutacionin e tij. Ky rezultat vjen pas studimeve të kryera te gjaku i marrë nga individë që u janë injektuar dozat e vaksinës.