Në Maqedoni vijnë frigoriferët, për vaksinat kundër Covid-19


Maqedonia është ndër vendet e pakta të Ballkanit Perëndimor që ende nuk ka pranuar vaksinat anti kovid. Në fakt, të gjithë vendet fqinje, përveç Kosovës, tani më kanë marrë vaksinat e para.

Ndonëse u përmend e para nga krerët e shëndetësisë, platforma “Covax” mbetet opsioni më i largët për të na sjell këtë formë parandalimi aq të kërkuar kundër pandemisë. Parashikimet e autoriteteve janë që deri në fund të janarit do të vijë kontingjenti i parë, kurse gjatë kësaj kohet arrijnë 5 frigoriferët special për ngrirje deri -80°C. Nga Komiteti për Imunizim thonë se intensivisht po bëjnë përgatitjet.

“Për qytetarët do të jenë vendet e njëjta ku po zhvillohet vaksinimi aktual i gripit sezonal, në Shkup do të zbatohet në 5-7 pika për vaksinim të qytetarëve dhe pastaj në secilin qytet të Maqedonisë. Punonjësit shëndetësor do të vaksinohen aty ku punojnë, tani më po bëhen përgatitje se si do të bëhet vaksinimi në Klinikat e Shkupit, në secilin spital dhe kovid qendër të personelit mjekësor”-tha Aleksandra Grozdanova, kryetare e Komiteti për Imunizim.

Përderisa jemi në pritje të vaksinës anti kovid, autoritetet shëndetësore druajnë që mos të përhapet varianti i ri i virusit korona. Në fakt, po të përhapet varianti i detektuar fillimisht në Britaninë e Madhe, sipas tyre, ka rrezik të vij edhe vala e tretë e pandemisë. Në laboratorin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, që nga fillimi i pandemisë e deri më tani janë analizuar afër 160 gjene të virusit korona , me ç’ rast u vërtetuan disa variante të Sars-Cov-2, prej të cilave dy lloje janë më dominonte në popullsinë tonë.

“Mutacionet e virusit që janë në Britani të Madhe nuk janë detektuar në asnjërën nga këto 160 analiza të kodit gjenetik të virusit të marr prej pacientëve tanë në periudhën maj-dhjetor 2020”-thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Nga Komisioni për Sëmundje Infektive njoftuan se deri të hënën e ardhshme do të bëjnë vlerësimin e situatës epidemiologjike të këtij fillimviti. Kjo nënkupton ndryshim të masave aktuale restriktive. Me të hyrë në 2021 dukshëm u ulën rastet pozitive, duke u rritur numri i të shëruarve. Por, sipas raporteve zyrtare, java e dytë e janarit ka regjistruar një rritje të lehtë të rasteve në raport me numrin e testimeve.