Kryeministri Edi Rama ka nisur punën pasi mori premtimin nga Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, se spitali rajonal i Fierit do të ndërtohet për 3 muaj.
Ai zhvilloi një mbledhje me kryetarin e Bashkisë së Fierit, Armando Subashi, ministren Manastirliu dhe perfektin e Fierit ku kërkoi që të përcaktohet urgjentisht vendi ku do të ndërtohet spitali i ri.
Për Ramën, ajo godinë do t’i shërbejë jo vetëm jugut të Shqipërisë, por do të kthehet në një pol tjetër të shërbimit shëndetësor. Spitali i Fierit pritet që të ndërtohet nga Turqia, por angazhimi i tyre nuk do të përfundojë aty. Rama njoftoi se për një periudhë kohe, ai do të administrohet nga burimet njerëzore të Republikës së Turqisë.
E megjithatë, do të vijojë të jetë spital publik, pjesë e rrjetit të spitaleve shqiptare.
“Nuk është vetëm ndërtim, por edhe transferim teknologjie dhe dijeje. Për një periudhë kohe do të administrohet nga burimet njerëzore të shërbimit shëndetësor të Republikës së Turqisë. Menaxheri, shefi i burimeve njerëzore, shefat e pavijoneve do të jenë të gjithë të sistemi shëndetësor publik të Republikës së Turqisë. Do të jetë spital publik, pjesë e rrjetit të spitaleve publike të Republikës së Shqipërisë, do të shërbejë me të njëjtat standarde në aspektin financiar, nuk do të ketë asnjë shtesë për qytetarët. Për një periudhë kohe do të bëhet në këtë formë deri kur të transferohet komplet nga pikëpamja e menaxhimit dhe nga pikëpamja e drejtimit të pavijoneve tek mjekët dhe administratorët tanë. Burimet njerëzore do të administrohen nga ata. Do të rekrutohen mjekët, infermierët me të gjitha standardet e duhura. Do të shërbejë si laborator i dijeve të transferuara, rritje kapacitetesh, eksperiencë dhe do të realizojë objektivin që ë kemi në Fier, një spital që i shërben të gjithë zonës së jugut. Në vend që të ikin në Turqi ata që e kanë fiksim të ikin në Turqi të vinë këtu dhe të kenë të njëjtin shërbim si në mes të Stambollit”, tha Rama.
Sfida është ndërtimi për 3 muaj. Kryeministri iu drejtuar kryebashkiakut të Fierit dhe tha se është detyrë e tij që puna të bëhet sa më shpejt dhe pala turke të mos ketë vonesa.
“Sfida është që ky spitali do të ndërtohet për 3 muaj. Duhet të përcaktojmë me urgjencë zonën. Zona duhet të jetë domethënëse, në anë të autostradës, jo larg nga autostrada. Duhet të ketë akses të plotë në infrastrukturë dhe javën tjetër fillon puna, në kuptimin që vijnë të hënë njerëzit e ngarkuar për këtë punë. Projektin janë duke e bërë gati bazuar në modulet që i kanë dhe ne do t’i vemë në shërbim gjithçka, asnjë zvarritje, jo leja e ndërtimi, jo leja e kësaj, leja e asaj. Kjo është detyrë e jotja. Kjo punë duhet bërë sa hap e mbyll sytë. Duhet të ngresh një skuadër me tre veta që të merren vetëm me këtë punë. Ministrja ka caktuar një person vetëm për këtë dhe ne ta bëjmë këtë punë me sukses. Po ta arrijnë ata se është sfida e atyre jo e jona për tre muaj, shkëlqyeshëm, por po nuk u arrit të mos jetë për fajin tonë. Ne duhet të jemi në rregull nga ana jonë. Pastaj bëhet për 3, për 4 apo 5 punë e tyre”.
Sipas Ramës, “ky do të jetë spital shëmbëlltyrë i vizionit dhe i ambicies” që ka qeveria.