Filipçe: Një përqindje e lartë e punonjësve shëndetësorë do të vaksinohen


Mbi 60 për qind e punonjësve shëndetësorë do të vaksinoheshin kundër virusit, deklaroi sot ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, në programin e mëngjesit të RTVM-së. Ky numër sipas tij është rezultat i hulumtimit të zbatuar nga Ministria me punonjësit shëndetësorë.

“Një përqindje e lartë e punonjësve shëndetësorë janë të interesuar ta marrin vaksinën dhe ky është sinjal i mirë për të gjithë qytetarët. Punonjësit shëndetësorë ishin në vijën e parë të luftës dhe e dinë se sa është i rrezikshëm virusi, nëse ata vaksinohen kjo do ta rriste besimin edhe tek qytetarët”, theksoi Filipçe.

Ministri theksoi se sikurse edhe deri më tani, Ministria do të vazhdojë të informojë në mënyrë transparente dhe të saktë me qëllim që qytetarët të marrin informacione të drejta për rëndësinë e vaksinimit dhe sigurinë e këtij procesi.

“Vaksinimi është proces serioz dhe i verifikuar. Vaksinat janë zhvilluar në platforma të sigurta dhe të verifikuara në të cilat janë zhvilluar të gjitha vaksinat deri më tani. Një vaksinë e cila do ta kalojë procedurën e miratimit nga Agjencia evropiane dhe amerikane për barëra, si për shembull vaksina e Fajzer, është vaksinë e sigurt pasi verifikimet, kriteret dhe kushtet e këtyre dy agjencive janë shumë të rrepta”, theksoi Filipçe.

Ai shtoi se të gjitha vaksinat të cilat do të mbërrijnë tek ne do të jenë tërësisht të sigurta, ndërsa qytetarët mund të kenë besim të plotë në procesin e vaksinimit. Porositi se qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm se vetëm përmes vaksinimit mund të çrrënjoset dhe fitohet sëmundja dhe kjo është arma e vetme e sigurt kundër virusit.

Filipçe u përqendrua edhe në gjendjen epidemiologjike e cila dukshëm është përmirësuar në katër javët e fundit. Ai theksoi se për këtë ka pjesëmarrje të madhe në sjelljen e qytetarëve të cilët dukshëm i respektojnë masat mbrojtëse.