Daçiq dhe Vulin marrin vaksinën ruse


Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq dhe ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin morën vaksinën ruse kundër koronavirusit – Sputnik V – në Institutin e Virologjisë Torlak në Beograd, njoftoi Qeveria serbe.

Siç thuhet, vaksinën ruse e kanë marrë edhe një sërë zyrtarësh tjerë serbë, përfshirë Marija Gnjatoviq, nga Instituti për Energjinë Bërthamore, Dragana Despot, drejtoreshë e Institutit për Biocide dhe Ekologji Mjekësore dhe Mirsad Gjerlek, sekretar i Shtetit në ministrinë e Shëndetësisë së Serbisë.

“Të gjithë jemi mirë. Do të marrim dozën e dytë brenda tre javësh, por nuk kam dyshim se do të jemi mirë. Ne nuk kërkuam të bëjmë vaksinën, por iu përgjigjëm kërkesës së ekspertëve që zyrtarët më të lartë të tregojnë publikisht se nuk kanë frikë nga vaksinat”, tha kryetari i Kuvendit, Ivica Daçiq.

Ai deklaroi se ky veprim nuk ka motive politike dhe shtoi se është rënë dakord që udhëheqësit e lartë institucional të merrnin vaksinat nga prodhues të ndryshëm në mënyrë që të rrisin besimin e qytetarëve në vaksinimin kundër COVID 19. “Ne do të ju informojmë nëse nuk jemi mirë, por nuk besoj se bash vaksina ruse do të na ‘godasë’”, u tha Daçiq gazetarëve.

Serbia mban lidhje të ngushta me Rusinë, por edhe me vendet perëndimore. Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq është imunizuar me vaksinën e kompanive perëndimore, Pfizer dhe BioNtech. Ministri i Brendshëm, Aleksandar Vulin theksoi se vaksinimi kundër COVID-19 është falas. “Unë besoj se vaksina është e mirë dhe se të gjithë duhet ta marrin atë. Doja të bëja një vaksinë ruse sepse besoj në mjekësinë ruse”, tha Vulin. Dorëzimi i parë i 2,400 dozave të vaksinave Sputnik V arriti në Serbi më 30 dhjetor.

Agjencia serbe për Barnat dhe Pajisjet Mjekësore (ALIMS) njoftoi një ditë më vonë se importi ishte aprovuar dhe se ajo kishte përmbushur kushtet ligjore për përdorim. Serbia dhe Bjellorusia janë vendet e para në kontinentin evropian që janë furnizuar me këtë vaksinë. Vaksina ruse ende nuk është miratuar nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) apo Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Vaksina amerikano-gjermane, Pfizer / Biontech, është e para që mori miratimin për përdorim në Serbi dhe imunizimi i popullatës filloi zyrtarisht më 24 dhjetor. Siç njoftoi qeveria e Serbisë më 6 janar, deri në fund të kësaj jave, planifikohet vaksinimi i 11,000 njerëzve./rel/