Çka e shtyu biznesmenin të kryej vetëvrasje sot në Prishtinë


Pronari i agjencionit turistik “Veneta Travel”, Ilaz Beqiri, dyshohet se mëngjesin e sotëm rreth orës 09:30 i ka dhënë fund jetës në zyrën e tij në rrugën “Garibaldi” në Prishtinë, shkruan Gazeta Sinjali.

Burime të Gazetës Sinjali brenda Policisë së Kosovës bëjnë me dije se me datën 15 të këtij muaji, bashkëshortja e Ilazit ka paraqitur në rajonin e policisë Qendra, rast kundër një punëtoreje të agjencionit të burrit të saj.

Në cilësinë e dëshmitarit është ftuar edhe Ilaz Beqiri, i cili është dëgjuar nga policia dhe në cilësi të të dyshuarës është proceduar një punëtore e agjencisë (emër i njohur për redaksinë).

Burime të gazetës bëjnë të ditur se relacioni mes Ilaz Beqirit dhe punëtores në fjalë kishte tejkaluar kufirin e raportit punëdhënës-punëmarrës, gjë që një ditë ishte kuptuar edhe nga gruaja e Ilazit.

Për shkak të kësaj, kjo e fundit ishte sulmuar nga punëtorja e agjencionit, sulm ky që nxiti bashkëshorten e Ilazit ta denoncojë punëtoren në fjalë.

Këto burime bëjnë të ditur se punëtorja e Ilazit, si rezultat i aferës, në vazhdimësi, kohëve të fundit ka filluar të shantazhojë atë.

Dyshohet se motivi që e ka çuar deri në vetëvrasje afaristin Ilaz Beqiri është pikërisht presioni i vazhdueshëm dhe shantazhi i përjetuar ditëve të fundit.

Burime të Gazetës bëjnë të ditur se sot në punë nuk ka dalë askush nga stafi i agjencionit, përveç Ilazit dhe punëtores në fjalë.

Për këtë rast, Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje në adresë të Policisë së Kosovës, por nga zyra e mediave kanë thënë se nuk mund të japin asnjë informacion për shkak se hetimet për zbardhjen e këtij rasti janë në fazat e para./Gazeta Sinjali/