Një delegacion nga Kolegji AAB i Republikës së Kosovës, i kryesuar nga Prof. Ass. Dr. Fatmir Pireva, dekan i Fakultetit të Kulturës Fizike dhe të Sportit, më 28 dhjetor 2020, zhvilloi një vizitë pune në Universitetin e Tetovës.
Delegacioni i lartpërmendur në UT u prit nga dekani i Fakultetit të Kulturës Fizike, Prof. Dr. Haki Ismaili. Qëllimi i këtij takimi ishte vijimi i bashkëpunimit në lëmin e arsimit dhe shkencës mes universiteteve, përkatësisht fakulteteve respektive. Drejtuesit e të dy fakulteteve theksuan se si pasojë e zhvillimeve me pandeminë Covid-19, universitetet u detyruan që ta modifikojnë strategjinë e tyre arsimore-shkencore duke u kujdesur që pasojat të jenë sa më minimale në veprimtarinë e përgjithshme që e zhvillojnë institucionet e arsimit të lartë.
Më tej në këtë takim me karakter pune, mes tjerash u diskutua që fakultetet përkatëse, në tetor të vitit të ardhshëm ta organizojnë një konference të përbashkët shkencore ndërkombëtare të shkencave sportive. Në muajt e parë të vitit 2021 pritet të fillojnë parapërgatitjet e kësaj konference ndërkombëtare, në të cilën do të ftohen të marrin pjesë emra të spikatur studiuesish nga rajoni dhe arena ndërkombëtare.
Në përmbyllje të takimit, të dy dekanët, Prof. Ass. Dr. Fatmir Pireva dhe Prof. Dr. Haki Ismaili vlerësuan se iniciativat e këtilla jo vetëm që e forcojnë bashkëpunimin institucional, por edhe kontribuojnë në avancimin e arsimit të lartë dhe hulumtimit në shkencat sportive.