Shefi i vaksinës antiCOVID: Virusi do të qëndrojë me ne për 10 vitet e ardhshme


Shefi ekzekutiv i kompanisë farmaceutike gjermane “BioNTech”, Ugur Sahin, përmes një konference për media tha se bota nuk mund t’i rikthehet normalitetit aq shpejt. Sahin u shpreh se virusi do të qëndrojë me ne për 10 vitet e ardhshme.

“Na duhet një definicion i ri i ‘normalitetit’. Virusi do të qëndrojë me ne për 10 vitet e ardhshme. Ne duhet të mësohemi me faktin se do të ketë më shumë shpërthime. Sidoqoftë, një normalitet i ri, do të nënkuptojë që të mos duhet të shkosh në bllokim, bizneset të mos mbyllen. Kjo mund të ndodhë deri në fund të verës”, tha Sahin.

Ai po ashtu theksoi se vaksina nuk do ta ndryshojë jetën edhe aq shpejt.

“Ne duhet të kemi një ndikim në mënyrë që dimri i ardhshëm të jetë normaliteti i ri”, deklaroi ai.
Ndryshe, vaksina antiCOVID e BioNTech ka rezultuar në provat e fundit me një efikasitet prej 95%, në rast se aplikohet me nga dy doza. Ajo tashmë është miratuar në SHBA, në Evropë edhe në disa vende të tjera të botës.