Këto pamje i kanë munguar Tetovës që prej afro një viti. Mos ardhja e mërgimtarëve për një kohë të gjatë në vendlindje si pasojë e pandemisë, bëri që rajoni i Pollogut të duket i boshatisur. Por javës së fundit, gjallëria është kthyer në qytet. Me ardhjen e mërgimtarëve, edhe bizneset kanë filluar të frymojnë më lirshëm.
“Vërehet shumë ardhja e tyre. Kemi edhe lëvizje nëpër lokalet tona, kështu që vërehet shumë ardhja e tyre. Nuk i prisnim në fakt po na befasuan. Nëse nuk janë ata, Maqedonia “vdes” kaq mund të them, sepse nëse nuk janë ata ne nuk kemi punë pothuajse aspak”.
“Shumë më mirë është, që nga dita e hënë shumë më mirë është në krahasim me gjashtë muaj si kemi qenë, lëvizja është shumë më e mirë. Ndryshimi është i madh, lëvizja është më e madhe, presim ende më mirë të jetë”.
Megjithatë si çdo herë, autoritetet komunale pa zgjidhje për mungesën e vendeve për parkim. Nga Sektori i punëve të Brendshme, me ardhjen e mërgimtarëve, kanë shtuar dhe masat e sigurisë në komunikacion.
Presim që numri të rritet ende më shumë deri në fundjavë, kështu që, apelojmë qytetarët që të respektojnë rregullat dhe dispozitat ligjore të komunikacionit. Me veturat e tyre të dalin vetëm sipas nevojave që t`iu japim një mundësi më tepër mërgimtarëve që të kenë hapësirë më të madhe për t’u parkuar sepse e dimë se sa është kapaciteti i Tetovës me parkingjet – deklaroi Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë.
“Në mungesë të vendeve të nevojshme të parkimit, Komuna e Tetovës ka hapur dyert e oborreve të disa shkollave me qëllim të lirimit të qytetit dhe më tepër vendeve për parkim për mërgimtarët”.