Ka filluar seanca ndaj nënkryetarit të OVL-UÇK-së në Dhomat e Specializuara në Hagë. Kur Haradinaj u pyet se a i është dorëzuar aktakuza, ai tha se ka nënshkruar një dokument, por as që e ka lexuar atë.
“E kam nënshkruar një dokument që më është paraqit si një aktakuzë. Të drejtën të them as lexue nuk e kom”, tha Haradinaj para gjyqtarit.
Më 25 shtator, Gucati dhe Haradinaj u arrestuan si të dyshuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, me mbështetjen e EULEX-it dhe policisë së Kosovës dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Paraqitja e parë e Haradinaj si i dyshuar u mbajt më 29 shtator dhe paraqitja e parë e Gucati si i dyshuar u mbajt më 1 tetor, ndërsa pas konfirmimit të aktakuzës tash fillon faza e procedurës paraprake të çështjes së tyre, duke nisur me paraqitjet e tyre të para.