Holanda do të hyjë në një bllokim të dytë të rreptë për të paktën pesë javë, ka njoftuar kryeministri i vendit.
Kështu, familjeve u është kërkuar që të presin jo më shumë se dy vizitorë mbi moshën 13 vjeç që nga e marta, edhe pse një përjashtim do të bëhet për tre ditë rreth Krishtlindjeve kur ata mund të mirëpresin tre.
Në një fjalim të rrallë televiziv, të shënuar nga zhurma e protestuesve që godasin tenxheret dhe tiganët jashtë zyrës së tij, Mark Rutte i tha kombit: “Holanda po mbyllet. Ne e kuptojmë gravitetin e vendimeve tona, menjëherë para Krishtlindjeve”.
Holanda është vendi tjetër evropian që njofton se do të zbatojë masa të rrepta gjatë periudhës festive pas një rritjeje të infeksioneve, me Gjermaninë që më parë njoftoi kufizime të ngjashme.
Njerëzit në Holandë janë këshilluar të qëndrojnë në shtëpi, të mos udhëtojnë në punë dhe të shmangin kontaktet me të tjerët sa më shumë që të jetë e mundur.
Si pasojë, të gjithë vendet publike – përfshirë qendrat e kujdesit ditor, palestrat, muzetë, kopshtet zoologjike, kinematë, parukierët dhe sallonet e bukurisë – do të mbyllen deri në 19 Janar.
Shkollat do të mbyllen gjithashtu deri më 18 janar.
Sidoqoftë, supermarketet, bankat dhe farmacitë do të lejohen të qëndrojnë të hapura.
“Sa më pak kontakte të kemi, aq më mirë”, tha Rutte.
“Ne duhet të bëjmë gjithçka për të arritur në një nivel më të mirë. Dhe po, do të bëhet më mirë”.
“Realiteti është se nuk kemi të bëjmë me një grip, siç besojnë disa nga ata që protestojnë jashtë, por një virus që mund të arrijë këdo”.
Ndryshe, të Dielën, vendi raportoi 10,000 infeksione të konfirmuara të coronavirusit – rritja e tij më e madhe ditore në më shumë se gjashtë javë ndërkohë që 8,500 raste të tjera me COVID-19 u njoftuan të hënën.
“Është serioze. Është shumë serioze”, ka thënë ministri i shëndetësisë Hugo de Jonge të hënën përpara një takimi të kabinetit.
“Ne shohim që numrat e infeksioneve po rriten ndjeshëm ditët e fundit, ne shohim që pranimet në spitale po rriten përsëri dhe presioni mbi sektorin e kujdesit shëndetësor mbetet i lartë”.
Sipas të dhënave, në total, vendi ka regjistruar më shumë se 600,000 raste dhe 10,000 vdekje që nga fillimi i pandemisë.