Në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut (10. 12. 2020), nën organizimin e Drejtorit të Institutit për të Drejtat e Njeriut dhe profesorit në Fakultetin Juridik, Prof. Dr. Ali Musliu, në bashkëpunim me Asociacionin e Alumni-ve të RMV-së dhe SHBA-ve (MAAA), nën moderimin e Udhëheqëses së Zyrës së Projekteve, njëherit edhe asistente në Fakultetin Juridik, Mr. Gjeraqina Leka, u mbajt debat akademik me temë ‘Dhuna kundër grave Maqedoninë e Veriut gjatë pandemisë Kovid-19’.
Si nikoqir i kësaj ngjarjeje, debatin e hapi Dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Qebir Avziu, me një fjalë përshëndetëse për të pranishmit, në veçanti për anëtaret e panelit, Doc. Dr. Arta Bilalli-Zendeli, deputete në Kuvendin e RMV-së dhe pedagoge në UT, Doc. Dr. Fatmire Isaki, zëvendësministre e punëve të jashtme, po ashtu pedagoge në UT, dhe znj. Simona Atanasova, eksperte për çështje të shëndetit publik dhe anëtare e MAAA-së.
Ai e potencoi rëndësinë e diskutimit të dhunës kundër grave dhe femrave, e cila, për dallim nga krimet e tjera, ka pësuar rritje gjatë pandemisë Kovid-19. Pas tij, fjalën e mori Prof. Dr. Ali Musliu, organizatori i kësaj ngjarjeje, i cili e vuri theksin mbi rëndësinë e miratimit të ligjit për dhunën me bazë gjinore. Ai u bëri thirrje mbajtësve të funksioneve publike të angazhohen në drejtim të miratimit sa më të shpejtë të këtij ligji. Ai u shpreh me plot shpresë se një debat i këtillë do të ndikojë në “ngritjen e vetëdijes mbi dhunën kundër grave dhe vajzave gjatë pandemisë Kovid-19 dhe se konkluzat që do të dalin nga ky panel diskutues do ta theksojnë rëndësinë e veprimeve në mbrojtje të këtyre kategorive vulnerabël të shoqërisë sonë”.
Presidentja e MAAA-së, znj. Verica Jordanova, e përshëndeti këtë iniciativë, duke shpresuar se debati do të ndikojë në ngritjen e vetëdijes dhe gjetjen e mekanizmave për parandalim të këtij fenomeni. Gjatë diskutimit, panelistja, Doc. Dr. Arta Bilali-Zendeli, ofroi një pasqyrim të legjislacionit nacional ekzistues, i cili parasheh veprime dhe mekanizma për ta parandaluar apo luftuar dhunën e ushtruar kundër grave dhe për t’i marrë në mbrojtje viktimat nga kjo dhunë.
Por, ajo theksoi se kjo çështje nuk duhet mbështetur vetëm në ato mekanizma që parasheh ligji, por edhe në vetë sistemin dhe mënyrën se si implementohen mekanizmat që i parasheh ligji. Sipas saj, “çdo pjesë e sistemit është e rëndësishme, duke filluar nga dëshmitarët e ngjarjes, ekspertët, oficerët e policisë, prokurori publik, gjykatësit…për të parandaluar apo lu ftuar këtë fenomen negativ”. Ajo e përfundoi diskutimin e saj, duke theksuar se “luftimi i këtij fenomeni kërkon veprim të përbashkët që përfshin si gratë ashtu edhe burrat…dhe të dy gjinitë duhet kuptuar se të drejtat e gruas janë të drejta të njeriut dhe se mbrojtja e të drejtave të njeriut nuk mund të përjashtojë mbrojtjen e të drejtave të gruas.”
Doc. Dr. Fatmire Isaki, po ashtu iu drejtua audiencës mbi këtë çështje duke treguar për hapat ligjorë që Republika e Maqedonisë së Veriut i ka ndërmarrë kundër kësaj forme të dhunës. Ajo potencoi bashkëpunimin ndërinstitucional, si midis Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale dhe UNDP-së, të cilët, përmes lëshimit të aplikacioneve telefonike si ‘Be safe’ dhe shërbimeve të tjera, që kanë për qëllim ta lehtësojnë denoncimin e dhunës me bazë gjinore.