Ministria e Jashtme e Iranit të premten e thirri në raportim ambasadorin e Turqisë në shenjë proteste ndaj deklaratës së presidentit Rexhep Erdogan gjatë një vizite zyrtare në Azerbajxhan.
Zëdhënsësi i kësaj ministrie, Saeed Khatibzadeh, tha se ambasadori turk, Derya Ors, u thirr në raportim pas asja që i quajti deklarata të papranueshme dhe të ngatërruara në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku.
“Ambasadori i Turqisë u informua se epoka e pretendimeve territoriale, nxitjes së luftës dhe perandorive ekspansioniste ka mbaruar. Irani nuk lejon që ndokudh t’i përzihet në integritetin e vet territorial”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme.
Gjatë vizitës së tij zyrtare në Baku të enjten, ku mori pjesë edhe në paradën e ushtrisë azere, Erdogani lexoi një pjesë të një poeme azero-iraniane për ndarjen e territorit të Azerbajxhanit mes Rusisë dhe Iranit në shekullin XIX.
Tri provincat veriperëndimore të Iranit kanë shumicë azere dhe Teherani është i shqetësuar nga prirjet separatiste në atë rajon. Azerët flasin një gjuhë shumë të ngjashme me turqishten, por shumica i përkasin sektit shiit, që është fe shtetërore në Iran, shkruan Free Europe, transmeton Gazeta Express.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Javad Zarif, tha përmes një postimi në rrjetet sociale se Erdogani nuk është i informuar se vargjet që i keqinterpretoi i kushtohen ndarjes me forcë të tokave nga atdheu iranian.
Ministria e Jashtme e Turqisë protestoi ndaj këtij reagimi për Erdoganin, duke thënë se e ka thirrur në raportim ambasadorin iranian.