Irani zbulon se si u vra shkencëtari i njohur i armëve bërthamore


Autoritetet iraniane pretendojnë se shkencëtari i tyre kryesor për programin bërthamor, Mohsen Fakhrizadeh u vra përmes një arme automatike të drejtuar në rrugë satelitore.

“Fakhrizadeh po udhëtonte në një autostradë jashtë Teheranit…kur një armë automatike shënjestroi mbi fytyrën e tij dhe qëlloi 13 herë”, deklaroi kundëradmirali Ali Fadavi, njëkohësisht zv.komandant i Gardës Revolucionare.

Sipas tij, arma ishte montuar në një Nissan dhe qëlloi vetëm mbi fytyrën e shkencëtarit duke mos dëmtuar fare gruan e tij, vetëm 25 cm larg. Autoritetet iraniane kanë akuzuar grupimin MEK se qëndron pas vrasjes ndërkohë që mediat shtetërore pretendojnë se në vendngjarje janë gjetur armë izraelite.