“Maskat nuk kanë pasur efektin e pritshëm”, Bino: Nuk dimë sa do të zgjasë pandemia


Shefja e Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino tregoi për RTV Ora se masat e marra për mbajtjen e maskave nuk ka qenë shumë efektive.

Sipas Binos, respektimi i masave është një vendim individual i qytetarëve dhe se nuk është mbajtur siç duhet, ndërkohë që ka shtuar se është e paqartë se sa do të zgjasë kjo situatë pandemike.
Si do të jetë Covidi në dimër?

Bino: Shqipëria nuk ka arritur imunitetin e tufës, ndaj jemi në këtë gjendje. Nuk është e qartë se sa zgjat Covidi. Asnjë sëmundje infektive nuk është zhdukur nga teoria e tufës. Shmangia e sëmundjeve infektive bëhet nëpërmjet metodave të kontrollit, pra vaksinimi. Në këtë rast duhet të respektohen masat si distanca sociale apo mbajtja e maskave.

A po japin efekt masat e marra?
Bino: Maskat nuk kanë pasur efektin e pritshëm, se nuk janë mbajtur siç duhet. Mbajtja e tyre në fyt të mbron nga gjoba por jo nga covidi. Maska mbron të infektuarin dhe të tjerët. Është një përgjegjshmëri individuale.