Europa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përballen me valën e dytë të Covid-19, e cila sipas shifrave duke mjaft agresive. Ndryshe po ndodh në kontinentin e largët të Australisë. Siç duket, Australia e ka mposhtur këtë pandemi, pasi shfaqen vetëm raste të vogla.
Për 28 ditë me rradhë shteti australian i Viktorias nuk ka regjistruar asnjë rast të ri me koronavirus apo vdekje. Autoritetet shëndetësore thonë se ata kanë arritur atë që konsiderohet gjerësisht, si standard zyrtar për eliminimin e COVID-19-s nga komuniteti.
Pacienti i fundit me koronavirus në Viktoria u nxorr nga spitali të hënën. Për shtetin e dytë më të populluar të Australisë nuk ka pasur asnjë rast të raportuar apo fatalitet prej një muaji. Në Australi ekziston shqetësimi se virusi mund të hyjë në komunitet nga hotele që shërbejnë si vend për të kryer karantinën ata qytetarë që kthehen nga kontinente të tjera.
Autoritetet thonë se suksesi i Australisë kundër koronavirusit është arritur kryesisht falë mbylljes së kufijve ndaj shtetasve të huaj në muajin mars, testimit masiv, gjurmimit të kontakteve dhe bllokimeve të rrepta. Por edhe popullata gjithashtu është pajtuar në nivele të larta me kërkesat për distancim fizik si dhe protokollet e higjienës.
Një valë e dytë infeksionesh bëri që autoritetet shtetërore në Viktoria të vendosnin disa nga kufizimet më të ashpra në botë në muajin korrik, të cilat janë zbutur javët e fundit. Që nga fillimi i pandemisë Australia ka regjistruar pothuajse 28 mijë raste me koronavirus dhe 907 vdekje, sipas të dhënave të universitetit Johns Hopkins.