LSDM: As takim liderësh, as Qeveri të përkohshme

LSDM-ja hedh kategorikisht poshtë mundësinë për zgjedhje të parakohshme parlamentare ose Qeveri të përkohshme për të menaxhuar me krizën dhe kontestin me Bullgarinë. Partia e Zaevit thotë se opozita me kërkesat e saj vetëm se i frenon proceset. Nuk pranon as takim liderësh.

“Jo. Për këtë çështje qytetarët vendosën në zgjedhjet e fundit parlamentare të cilat ishin para vetëm katër muajsh. Humbësit Mickoskit qytetarët ja treguan rrugën. Ne punojmë për një zgjidhje në interes të qytetarëve kurse VMRO-DPMNE-ja i frenon proceset dhe punon vetëm në nxitjen e konflikteve të reja. Tashmë hapur e kemi thënë, nuk na duhen konflikte dhe zënka, nuk na duhet VMRO-DPMNE-ja dhe Mickoski për t’u zënë me dikë”-thonë nga LSDM.

Ndërkaq opozita prej kohësh kërkon takim liderësh në të cilën do të arrihej marrëveshje për Qeveri të zgjeruar me mandat të përkohshëm. Qeveria e re, sipas opozitën, do të kishte mandat të gjente zgjidhje me krizën shëndetësore dhe ekonomike me virusin dhe do të zgjidhte kontestin me Bullgarinë. Partia e Hristijan Mickoskit thotë se do të zbatojë të gjitha metodat demokratike për të realizuar kërkesat e saj.

“Ajo që na shqetëson neve si parti politike është se Zaev nuk ka as vullnet dhe nuk gjen as kohë për çfarëdo dialogu për të biseduar me opozitën dhe partitë politike në vend. Më të rëndësishme e ka të takohet më shpesh me kryeministrin bullgar Bojko Borisov në vend se të takohet me liderët politik në Maqedoni dhe të krijojë konsensus nacional”-tha Dimçe Arsovski, VMRO-DPMNE.

Qeveri të zgjeruar dhe zgjedhje të parakohshme kërkon edhe opozita shqiptare. Sipas tyre, Qeveria e zgjeruar duhet të ketë mandate deri në tetor të vitit të ardhshëm kur bashkë me zgjedhjet lokale do të organizoheshin edhe zgjedhje parlamentare./Fatlume Dervishi