Kush do jetë sekretari i ri i SHBA’ve: Ky është emri më i përfolur deri tani


Presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden pritet të zgjedhë këshilltarin e tij dhe diplomatin veteran, Antony Blinken si sekretar shteti, kanë raportuar një mori mediash amerikane më 22 nëntor.

Nëse nominohet dhe konfirmohet nga Senati, Blinken do të ketë detyrë krijimin e një qasje të re të diplomacisë amerikane dhe bashkëpunimit global, pas katër vjetëve të politikës “Amerika e Para” e presidentit aktual, Donald Trump, e cila është përcjellë me ndasi në institucionet ndërkombëtare dhe përplasje me aleatët dhe konkurrentët. Biden do ta bëjë këtë njoftim më 24 nëntor, teksa do të publikojë emrat e parë në kabinetin e tij.

Jake Sullivan, ndihmës i ngushtë i ish-sekretares amerikane të Shtetit Hillary Clinton pritet të emërohet këshilltar për Siguri Kombëtare i Bidenit. Ish-presidenti i SHBA-së Barack Obama dhe presidenti i zgjedhur, Joe Biden – foto arkivi. Emërimi i Blinkenit, që është raportuar fillimisht nga Bloomberg dhe më vonë është konfirmuar edhe nga media tjera, vjen teksa Biden vazhdon të zgjerojë administratën e tij, pavarësisht tentimeve të Trumpit për të përmbysur rezultatin zgjedhor.

Ish-nënpresidenti amerikan është zotuar se do të nisë presidencën më 20 janar, teksa kombi amerikan përballet me pandeminë e koronavirusit dhe krizën ekonomike të shkaktuar nga ajo. Pasi të marrë pozitën e presidentit Biden planifikon të rikthehet në Marrëveshjen e Parisit për Klimën dhe të kthejë mbrapsht anëtarësimin në Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Me Blinkenin në krye të diplomacisë amerikane administrata Biden do të synojë të shmangë përshkallëzimin e tensioneve me Iranin të rindërtojë marrëdhëniet me aleatët dhe të menaxhojë marrëdhëniet tejet të tensionuara me Kinën.