“Numrin ma dha miku ynë i përbashkët, Vuçiç”, Mihajloviç zbulon mesazhin e Edi Ramës kur u diagnostikua me leukemi

Sinisa Mihajlovic, trajneri i Bolognas dhe ish-lojtar i një sërë klubesh në Itali si Roma, Lazio, Sampdoria e Inter së fundmi ka publikuar një autobiografi të tijën, kushtuar luftës së tij me sëmundjen e vështirë të leucemisë dhe e ka quajtur “Ndeshja e jetës”.

Në librin e tij ka pjesë edhe kryeministri i vendit tonë, Edi Rama. Siç zbulon Panorama Sport, ai i ka dërguar një mesazh mjaft interesant trajnerit, teksa po luftonte me sëmundjen. Në shkrimin e tij Rama shprehet se numrin ia mori kryeministrit serb, Vucic, të cilin e konsideron si mik të përbashkët të të dyve.
“I dashur mister, jam Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, ish-lojtar i kombëtares shqiptare të basketbollit dhe një admirues i vjetër i Sampdorias së Vujadin Boshkovit. E mora numrin tënd të telefonit nëpërmjet mikut tonë të përbashkët, Alexander Vuçiç. Folëm për ju dje në mbrëmje këtu në Novi Sad.

Kam dashur gjithmonë t’ju shprehja admirimin tim për egërsinë me të cilën po e përballoni armikun tuaj më të frikshëm të jetës, por edhe për t’ju thënë se pasi keni mundur shumë portierë direkt nga goditja e dënimit, ju me siguri jeni i zoti të mundni dhe hijen që është vendosur mes jush dhe portës suaj të së ardhmes.
E di shumë mirë rrezikun që mesazhe të tilla solidariteti mund të bëhen të mërzitshme për një kokëfortë si puna juaj, por ju siguroj se ky i imi nuk është një mesazh i kësaj natyre. Përkundrazi, është një shprehje admirimi antik.

Ju kërkoj ndjesë që nuk arrita t’ju shpreh më mirë ndjenjën e vlerësimit të lartë dhe simpatisë kundrejt jush, por nëse do duhej një dëshmitar, atëherë miku ynë i përbashkët mund t’ju sigurojë se, tashmë prej vitesh nuk ndodh asnjëherë që të mos flasim për ju si një figurë speciale në botën e futbollit.
Duke ju uruar gjithë të mirat juve dhe të dashurve tuj, nuk po ju bezdis më me shpresën se një ditë do t’ju takoj personalisht”, shkruan Edi Rama në mesazhin e tij për Mihajloviç.