Drejtori i Spitalit të Mitrovicës, Dr. Enis Istrefi, është shkarkuar nga kjo pozitë. Ky vendim i SHSKUK-së vjen pas një skandali me një kufomë e cila u la në dhomë me pacientët për disa orë.
Para tre ditësh mediat raportuan për një kufomë e cila u la në dhomë me pacientët e gjallë për disa orë në Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës. Pas këtij rasti menaxhmenti i SHSKUK-së ka marr vendim për shkarkimin e Enis Istrefit, i cili ka mbajtur pozitën e u.d. drejtorit të spitalit, raporton Gazeta Shneta.
Gazeta ka siguruar vendimin e drejtorit të Përgjithshëm të SHSKUK-së, ku thuhet se Istrefi nuk i ka përmbushur detyrat e tij.
“Sipas detyrave dhe përgjegjësive të të njëjtit nga kontrata e tij e punës, Dr. Enis Istrefi nuk ka bërë përmbushjen e kënaqshme të detyrave të punës, poashtu i njëjti nuk ka treguar përgjegjshmëri në deklarimet publike dhe nuk ka respektuar vendimet e komitetit për menaxhimin e pandemisë në nivel të SHSKUK-së”, thuhet në vendimin për shkarkim.
Për rastin e qëndrimit të kufomës në dhomë me pacientët, Spitali i Mitrovicës ia kishte hedhur përgjegjësinë Qendrës Operative Emergjente të Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe pritjes së rezultatit për Covid nga Instituti Kombëtar.
Pas shkarkimit të Istrefit, menaxhmenti i SHSKUK-së e ka emëruar ushtrues detyre gjinekologun Dr. Sadik Fejza.