Deputetja e PDK-së, Besa Ismaili në seancën e Kuvendit ku po mbahet interpelancë e kryeministrit Avdullah Hoti për çështjen e personave të pagjetur tha kjo çështje nuk guxon të jetë kurban i marrëveshjes përfundimtare nuk guxon të jetë kurban i marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.
Ajo kritikoi kryeministrin Hoti për deklaratën e tij që të mos politizohet çështja e të pagjeturve duke thënë se kjo qeveri e dobët po kalon në një nivel tjetër brenda absurditetit duke i lënë familjarët e të zhdukurve në gjendje dëshpëruese.
“A po e politizon Serbia çështjen e të pagjeturve? Po abuzohet me fatin e të pagjeturve tanë në Serbi dhe kjo qeveri është në gjumë. Pranuat apo nuk pranuat ju, kjo është një çështje tejet politike që e damkos Kosovën”, tha Ismaili.
Ajo theksoi se dialogu me mendësi fashiste nuk sjell paqe dhe kërkoi më shumë angazhim nga institucionet në zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.
“Liria ka emër dhe e ka emrin e gjithë atyre që sot po i zhvarrosin në Serbi. Më shumë angazhim në këtë kauzë institucionale, ju lutem. Kjo kauzë do të krijonte mekanizma më konstruktivë të mundshëm në arenën ndërkombëtare po që se do t’i përfshinim edhe familjarët e të pagjeturve” , tha deputetja e PDK-së.