Bullgaria i respekton fqinjët e saj dhe ka interes për integrim evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, deklaroi ministrja bullgare Ekaterina Zaharieva për televizionin Nova. Duke u përqendruar në veton bullgare për kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut me BE-në, Zaharieva potencoi se mbështetja nga Bullgaria për vendin kurrë nuk ka qenë e pakushtëzuar.
“Autoritetet në Shkup kanë qenë në dijeni kohë më parë se ka probleme që nuk i kanë zgjidhur në marrëdhëniet bilaterale me ne”, tha Zaharieva, duke shtuar se vitin e kaluar gjatë takimit të fundit ndërqeveritar të vendit u theksuan këto probleme.
Ajo potencoi se pas qëndrimit të Sofjes ka edhe “pengesa afariste”, si gjoja bllokimi i investimeve bullgare në vend me pengesa administrative, ngecja në ndërtimin e Korridorit 8, “dështimi i programit trevjeçar për arsim dhe kulturë” nga pala maqedonase dhe “refuzimi i bashkëpunimi në mbrojtje”.
Sipas Zaharievës, për Bullgarinë është e papranueshme edhe “rritja e fushatës anti-bullgare” në vend. Ajo vlerësoi se “gjuha e urrejtjes” në vend nuk është shfaqur muajt e fundit, por që “fushata anti-bullgare nuk ka ndalur” dhe gjithmonë përkeqësohet përpara momenteve të rëndësishme.
“Nëse duan të hyjnë në BE, duhet t’i përmbahen vlerave evropiane. Nuk mendoj se është mirë për qytetarët e këtij vendi të edukohen në urrejtje”, shtoi Zaharieva. Ajo mohoi që Bullgaria ishte nën presion të Gjermanisë për të lëshuar pe lidhur me kornizën negociuese për vendin, duke theksuar se edhe disa në Shkup menduan se do të kishte një presion të tillë ndaj Sofjes.
“BE-ja nuk funksionon në atë mënyrë. Çdo vend është i barabartë në këtë Union. Zgjerimi duhet të miratohet nga të gjitha vendet anëtare, shtoi shefja e diplomacisë bullgare. Zaharieva mendon edhe se krijimi i Komisionit të përbashkët historik bullgaro-maqedonas nuk paraqet një gabim.
“Nuk është puna e qeverive të qartësojnë për figurat historike, por komisioni i përbashkët duhet të kishte propozuar zgjidhje politikanëve”, theksoi Zaharieva.