Në koma prej COVID-19, gruaja sjell në jetë foshnjën e shëndetshëm


Një nënë në British Columbia të Kanadasë i dha jetë foshenjës së saj duke qenë në koma dhe e infektuar me COVID-19. Gillian McIntosh po lufton për jetën e saj pasi u infektua me Covid-19 afër fundit 9-mujorit të shtatzënisë dhe u detyrua t’i nënshtrohet një operacioni urgjent për të shpëtuar djalin e saj ndërsa ishte në koma të induktuar.

Ajo rezultoi pozitive për COVID-19 më 6 nëntor dhe gjendja e saj u përkeqësua shpejt. Ajo u shtrua në spital në 10 nëntor dhe u vendos në një ventilator në një gjendje kome të induktuar. 37-vjeçarja, është në kujdes intensiv, ndërsa burri i saj kujdeset për vajzën e çiftit dhe djalin e porsalindur, të cilit ata po presin t’i vendosin emrin.

Dave McIntosh i tha mediave vendase se djali i tij i porsalindur ka rezultuar negativ për COVID-19 dhe po monitorohet në njësinë e kujdesit intensiv për të porsalindurit në spital. “Parashikoj të jem në gjendje ta çoj në shtëpi javën e ardhshme dhe nuk do të doja asgjë më shumë sesa të isha në gjendje ta çoja gruan time gjithashtu në shtëpi,” tha David McIntosh. “Për fat të keq, Gillian mbetet në një gjendje kome të induktuar dhe në një ventilator. Personeli mjekësor raporton se Gillian po lufton shumë fort.”, shtoi ai.

Para se bashkëshortja e tij të infektohej, Dave thotë se ajo ishte mirë me shëndet dhe kishte dalë nga shtëpia vetëm për të marrë vajzën e tyre tre vjeçare në çerdhe. “Kjo gjendje ka zgjatur kaq shumë sa të gjithë u vetëkënaqëm nga pak,” i tha ai Canadian Press, duke shtuar se familja ishte përpjekur të merrte të gjitha masat e nevojshme shëndetësore.

“Por tani, kjo duket qartë se nuk ka qenë e mjaftueshme. Pavarësisht se ta shpif, të gjithë duhet të mbyllin gjithçka”, vazhdoi ai, duke shtuar:” është koha që me të vërtetë të fillojmë ta marrim seriozisht këtë. ” Rastet aktualisht po rriten në provincën perëndimore Kanadeze. Të Premten, British Columbia vendosi një rekord të ri ditor prej 617 rastesh të reja të regjistruara.