Rama: Asnjë zyrtar i qeverisë i prekur nga COVID-19 nuk u trajtua jashtë vendit


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi sot se asnjë zyrtar i qeverisë i prekur nga COVID-19 nuk është trajtuar jashtë vendit.
“Ne nuk mund të ndalojmë askënd të shkojë edhe në Turqi, por anëtarët e qeverisë janë këtu të gjithë, ca e kanë kaluar, ca janë duke e kaluar dhe pa diskutim nëse do të jetë nevoja do të shkojnë në spitalin publik”, bëri të ditur kryeministri.

Sipas tij, shefja e departamentit të kontrollit të epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino e kaloi në spitalin Infektiv .
“Pse s’ka mundësi ajo të shkojë jashtë. Por shkoi në spitalin infektiv të Tiranës, sepse duke qenë në brendësi të gjithçkaje ndodh aty e di që s’ka në Turqi asgjë më shumë se sa këtu. Le të thonë çfarë të duan, mjekët janë heronj dhe në lartësinë e detyrës”, tha kryeministri.

Rama apeloi qytetarët që të zbatojnë protokollet e publikuara dhe në çdo rast të komunikojnë me mjekun e familjes, i cili do t’i drejtojë ata drejt procedurave dhe mjekimeve të nevojshme.
“Pse shkojnë qytetarët dhe i bëjnë te privati tamponët nëse nuk kanë simptoma shqetësuese. Ne nuk i ndalojmë, po ne u themi dëgjoni mjekun e familjes dhe Urgjencën, nëse nuk ndjehesh mire, sillu njësoj si ta kesh COVID-19 por nuk ka nevojë të vraposh të bësh tamponin”, tha Rama.

Sipas tij, i njëjti problem po ndodh edhe në vende të tjera, ku qytetarët pa simptoma apo me simptoma të lehta bëjnë tamponin në privat kundrejt kostove të larta.
Problem, u shpreh kryeministri, mbetet edhe blerja nga ana e qytetarëve e antibiotikëve pa u këshilluar me mjekun e familjes.
“Problem është se privati të ngarkon me shumë ilaçe. Janë të lidhur me farmacistë. Mjekët e familjes e dinë cila është kura bazë e COVID-19, e cila tashmë është e publikuar. Në momentin që je në gjendje më të vështirë të çojnë në spital. Nuk ka mungesë shtretërish dhe nuk mungon asgjë në spitale”, tha Rama.

Sipas tij, ky është një apel që kërkohet të përcillet edhe nga anëtarët e Komitetit Teknik të Ekspertëve për menaxhimin e COVID-19.
“Ju them me përgjegjësi të plotë që shumica dërrmuese e mjekëve e infermierëve shqiptar nga Bajram Curri e deri në Konispol janë absolutisht në lartësinë e detyrës”, deklaroi Rama.