Vala e vjeshtës në Maqedoninë e Veriut solli rritje të përshpejtuar të kapaciteteve spitalore, kurse sipas statistikave të autoriteteve shëndetësore, brenda një muaji janë 580 pacientë që janë shtruar nëpër covid-spitalet. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, përmes një video-mesazhi situatën e ka vlerësuar si tejet serioze.
“Gjendja me Covid-19 është kritike, e spitalet tanimë po i mbushin të gjitha kapacitetet. Para nesh është periudha më e rëndë në ballafaqimin me pandeminë. Kërkoj që të gjithë të jemi maksimalisht të përgjegjshëm”, tha Filipçe. VMRO-DPMNE-ja opozitare duke kërkuar përgjegjësi për keqmenaxhimin e situatës me COVID-19, kërkon dorëheqjen e Ministrit Filipçe.
“38782 persona të sëmurë, 14661 raste aktive, 1110 persona të vdekur. Venko, këto janë numrat që tregojnë se sa është urgjente nevoja për dorëheqjen tënde”, tha Marija Miteva nga VMRO/DPMNE. Në Maqedoninë e Veriut në total janë bërë afro 270 mijë testime, por opozita thotë se favorizohen klinikat private.
“Në dy ditët e kaluara janë bërë 6 486 teste prej të cilave 3086 janë bërë në spitale private. Rreth 9 258 000 denarë ose 150 000 euro janë dhënë nga qytetarët, për dy ditë. Venko, a je i vetëdijshëm se qytetarët për teste kanë harxhuar rreth 8 milion euro”,tha Miteva.
Në Maqedoninë e Veriut, numri i rasteve aktive i afrohet shifrës prej 15.000. Nga e Hëna deri të shtunën janë shënuar 106 viktima kurse nëpër spitale trajtohen mbi 900 pacientë. Për shkak të numrit të lartë të të prekurve që kanë nevojë për trajtim spitalor, në dispozicion janë vënë klinika dhe reparte shtesë.