Dramë në Georgia, Bideni i afrohet Trumpit në më pak se 1.300 vota


Duket se republikani Donald Trump e ka të rrezikuar epërsinë edhe në shtetin Georgia, ku një ditë më parë kishte dallim prej dhjetëra mijëra votash, ndërsa tani presidenti aktual ka më pak se 1.300 vota më shumë se rivali Joe Biden.

Sipas të dhënave të televizionit CNN, nga numërimi i 99 për qind të votave në Georgia, të dy kandidatët kanë marrë nga 49.4 për qind të votave, ndërsa dallimi është më pak se 1.300 vota.

Rezultati aktual në Georgia (Burimi: CNN)
Georgia i ka 16 vota në Kolegjin Zgjedhor dhe në rast të fitores së Bidenit në këtë shtet, fitorja do t’i takonte atij, pavarësisht rezultatit në Nevada, ku po zhvillohet një garë e ngushtë.

Në Nevada, Joe Biden është në epërsi ndaj Trumpit, por vetëm me rreth 12 mijë vota, që nuk ia garanton fitoren ende. Sidoqoftë, kjo epërsi është më e lartë se një ditë më parë, kur dallimi mes tyre në këtë shtet ishte më pak se 8 mijë vota.

Zyrtarisht, fituesi i zgjedhjeve vendoset në mbledhjen e Kolegjit Zgjedhor që mbahet në dhjetor, ndërsa presidenti përfundimisht inaugurohet në mbledhjen e Kongresit që mbahet më 6 janar të vitit të ardhshëm.