SHBA-ja largohet nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut

Shtetet e Bashkuara janë larguar nga Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut, duke e cilësuar të njëjtin si “pellg të paragjykimeve politike”.

Ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley, ka thënë se ky trup përbën “tallje” për të drejtat e njeriut.

I formuar më 2006, Këshilli me bazë në Gjenevë është kritikuar për lejimin e disa shteteve për të qenë anëtare, në të cilat janë vënë në pikëpyetje të drejtat e njeriut.

Mirëpo aktivistët kanë thënë se vendimi amerikan mund të dëmtojë përpjekjet për të vëzhguar dhe adresuar abuzimet e të drejtave të njeriut në botë.
Haley ka njoftuar për largimin e shtetit të saj nga Këshilli, në një konferencë të përbashkët me Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo.
Ky i fundit e ka quajtur Këshillin, “mbrojtës të dobët të të drejtave të njeriut”.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka njoftuar përmes një deklarate se ai do të “kishte preferuar më shumë” që SHBA-ja të mbetej pjesë e Këshillit.

Komisioneri i OKB-së për të drejta të njeriut, Zeid Ra’ad Al Hussein, e ka cilësuar tërheqjen e SHBA-së “dëshpëruese, ndonëse lajm jo shumë befasues”.
Izraeli në anën tjetër ka përshëndetur vendimin amerikan. /REL/