Kush janë 3 shqiptarët e arratisur nga qelitë greke

Policia greke ka ndërmarrë një operacion të gjerë për gjetjen dhe kapjen e tre shtetasve shqiptarë.

Ata u arratisën nga qelitë e rajonit të policisë të Argjirupolit.

Ngjarja ka ndodhur në orën 06:30 të së martës, 19 qershor.

Ata kanë mundur të presin shufrat e hekurta të dritares së banjës së qelisë dhe u hodhën përtokë nga një lartësi prej 10 metrash.

Sipas disa burimeve, ata u diktuan nga rojat e rajonit, por mundën të kapërcejnë murin rrethues e të zhduken.

Ata ishin arrestuar më 13 qershor, të akuzuar si pjesëtarë të një bande kriminale, që kishte kryer të paktën 70 vjedhje spektakolare.

Ata vepronin kryesisht në zonën juglindore të Athinës dhe zakonisht në orët e pasdites apo të darkës, pasi më parë kishin vënë në “shënjestër” banesat ku do të “goditnin”. Në vazhdim çaktivizonin dyert apo dritaret dhe mësynin duke vjedhur para, bizhuteri dhe pajisje elektronike.

Ata ishin të specializuar për t’u ngjitur nëpër muret e pallateve.

Në mjaft raste, merrnin me vete edhe makinat e viktimave, atëherë kur mjetet ndodheshin në garazh.

Nga kontrollet në banesat e tyre policia gjeti një numër të madh pajisjesh elektronike, bizhuteri, sahate, syze dielli, çelësa makinash, çanta, dokumente personale personash të tretë, etj.

Vlera e sendeve të vjedhura përllogaritet në 400.000 euro.

Përveç vjedhjeve, ata akuzohen edhe për trafik droge, pasi në shtëpinë e kreut të bandës u gjetën 18 kilogramë kanabis dhe tre peshore precizioni.

Mediat greke kane publikuar fotot por jo emrat e shqiptarëve.