UNT ia ndau çmimin “Doctor Honoris Causa” nobelistit, Ferid Muradi. Motivacioni i ndarjes së këtij titulli është për të nderuar dhe veçuar personalitetet e jashtëzakonshme që i kanë dhënë dhe po i japin kontribut të veçantë shkencës, arsimit të lartë dhe që me ekspertizën e tyre kanë bërë ndikim rrënjësor në progresin shoqëror.
Tek ju shohim frymëzim për punën dhe veprimtarinë që ushtrojmë, thanë përfaqësuesit e UNT-së dhe ministri i Arsimit, Arbër Ademi.
“Mundësia për të promovuar njerëz të tillë si nobelist dr. Ferid Murati, është mënyra e mirë për të promovuar dhe është model se si arrihet deri tek suksesi dhe më pas përkushtohet dhe dedikohet. Dhe kjo do t’i shërbejë rinisë si do sukses i paevitueshëm”,– deklaroi rektori i UNT-së, Aziz Pollozhani.
“Jam i lumtur që mu dha mundësia të qëndroj këtu. Për herë të fundit kam qenë këtu para 20 vitesh dhe jam i impresionuar se sa ka ndryshuar qyteti, janë ndërtuar ndërtesa të reja tani edhe universitet i ri dhe besoj se nëse gjithçka shkon mirë, këtu do të promovohet edhe nobelisti i tretë”,- tha nobelisti, Ferid Muradi.
“Si ministër i arsimit dhe shkencës do të angazhohem maksimalisht për të ndjekur shembullin tuaj në përpjekjen dhe qëndrueshmërinë në punë për të avancuar gjendjen ne sferën që udhëheq, sidomos në shkencë të cilës ju i keni kushtuar tërë jetën dhe pa të cilën nuk ka përparim të shoqërisë nëse e njëjta nuk shkon para”,- theksoi ministri i arsimit, Arbër Ademi.
Nobelisti, Ferid Muradi, është studiues i talentuar me origjinë shqiptare, me prejardhje nga fsh. Llakavicë – rrethina e Gostivarit. Me rezultatet e jashtëzakonshme të arritura në shkencë, pa dyshim ka kontribuar edhe në afirmimin dhe ngritjen e autoritetit të kombit dhe të qenies shqiptare së bashku me humanitetin dhe sakrificën e Nënës Terezës, në hapësira më të gjera botërore.