Zyrtarët e Koresë Jugore të enjten refuzuan që ta pezullojnë programin e vaksinimit të miliona banorëve kundër gripit sezonal, pavarësisht thirrjeve të shumta që ky proces të ndërpritet. Thirrje për pezullimin e programit të vaksinimit bëri edhe një grup i rëndësishëm i mjekëve pasi 25 persona të vaksinuar vdiqën, duke ngjallur dyshime serioze për efikasitetin e vaksinës.
Megjithatë autoritetet në vendin e largët aziatik thanë se nuk kanë gjetur ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë mes këtyre rasteve të vdekjes dhe vaksinave kundër gripit shkruan The Guardian.
Së paku 22 nga të vde*kurit përfshirë një djalë 17 vjeç ishin pjesë e fushatës për vaksinimin e 19 milionë adoleshentëve dhe të moshuarve bëri të ditur Qendra Koreane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Koreja Jugore e rriti për 20 për qind numrin e vaksinave kundër gripit këtë vit për shkak të rrezikut për personat që mund të preken njëkohësisht nga koronavirusi dhe gripi dhe mbingarkimit të mundshëm të spitaleve.
Vaksinat që përdoren në këtë program janë të prodhuara nga kompanitë vendore, GC Pharma SK Bioscience dhe Ilyang Pharmaceutical Co, shkruan Reuters. Zyrtarët e këtyre kompanive nuk i janë përgjigjur kërkesës për koment në lidhje me këto vdekje. Nuk është e qartë nëse vaksinat e përdorura në këtë program janë eksportuar apo përdorur tashmë edhe në shtete tjera.