Ministri Shëndetësisë, Armend Zemaj ka mbajtur sot një konferencë para gazetarëve me kryeministrin Avdullah Hoti dhe me dhjetëra persona të tjerë. Ministri Zemaj ka ftuar qytetarët, mediat e institucionet që të respektojnë masat ndaj Covid-19, por thirrjet e tij kanë qenë duke thyer vet rregullat dhe Ligjin NR. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19.
Zemaj ka ftuar qytetarët të ruajnë distancën, por në konferencë për shtyp mbrapa tij kanë qenë më shumë se 12 persona, kjo bën që aty nuk është ruajtur distanca e parashikuar me ligj.
“Zbatoni masat ta ruajmë shëndetin dhe ta luftojmë pandeminë, distancën, higjienën dhe maskën, të tjerat janë obligim i të gjithëve i qytetarëve, i mediave, i institucioneve qendrore dhe lokale”, tha Zemaj, transmeton Gazeta Metro.
Kujtojmë se në Ligjin NR. 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19, Kapitulli 5, tek Masat Ndëshkimore ndaj qytetarëve dhe bizneseve thuhet se mos respektimi i mbajtjes së distancës dënohet me gjobë prej 35 euro deri në 500 euro.
“Personi juridik i cili nuk e zbaton vendimin e Organit Kompetent për krijimin e kushteve dhe mbajtjen e distancës së përcaktuar në hapësirat në të cilat janë përgjegjës dënohen me gjobë prej pesëqind (500) euro, ndërsa personi përgjegjës i personit juridik dënohet me gjobë prej dyqind (200) euro. Personi fizik i cili nuk respekton vendimin e Organit Kompetent për mbajtjen e distancës fizike, dënohet me gjobë prej tridhjetepesë (35) euro.”/