Filozofit dhe kritikut të artit Shkëlzen Maliqi i është ndaluar hyrja në Serbi, në pikën e kalimit kufitar në Merdare. Policia kufitare e Serbisë nuk ofroi informacion apo arsye për veprimin e saj.
Maliqi, ish-këshilltar i kryeministrit shqiptar për rajonin po udhëtonte me dramaturgun dhe drejtorin e Qendrës Multimedia Jeton Neziraj dhe kryeredaktoren dhe fotografen e Kosovo 2.0, Besa Luci dhe Majlinda Hoxha.
Ata planifikonin të merrnin pjesë në një diskutim me rastin e lancimit të publikimit “20 Vjet Përtej/Preko/Beyond”, që përmbledh një kronologji të 20 viteve të bashkëpunimit kulturor ndërmjet aktorëve kulturorë nga të dyja shtetet.
Publikimi dhe diskutimi implementohen nga Center for Cultural Decontamination bazuar në Beograd dhe Kosovo 2.0, bazuar në Prishtinë.
Pas ndalimit të Maliqit, anëtarët e tjerë të grupit po ashtu vendosën të kthehen në Prishtinë.
Ky vendim ishte bazuar në atë se, udhëtimi për në Beograd dhe pjesëmarrja në ngjarje vetëm sa do të kontribuonin në normalizimin e një praktike diskriminuese dhe trajtimi johuman të qytetarëve kosovar.
Për më tepër, rasti shkon kundër frymës së procesit të normalizimit ndërmjet dy shteteve dhe dështimit për të mbështetur një nga parimet fondamentale të saj – lirinë e lëvizjes, shkruan kosovotwopointzero.com.
Në një prononcim për Telegrafin, Maliqi tregoi se policia kufitare e Serbisë nuk i ofroi asnjë informacion lidhur me veprimin e tyre.
“Nuk më kanë dhanë asnjë arsye, patën procedura aty që zgjatnin dhe unë nuk munda me prit 3 apo 4 orë aty sepse ishte ora 5 e mëngjesit dhe u detyrova të kthehem. Ndoshta më kanë ngatërruar emrin me ndonjë zyrtar sepse është edhe një Shkëlzen Maliqi i cili ka qenë zyrtar në Ministrin e Drejtësisë, po supozoj sepse nuk e di”, ka thënë Maliqi.
Ai mendon se kjo ka ndodhur si shkak i asaj që Kosova shumë shpesh u ka ndaluar hyrjen zyrtarëve serb.
“Pas kësaj edhe anëtarët e tjerë të grupit vendosen që të kthehen së bashku me mua në Prishtinë. Kishim për të marrë pjesë në një diskutim në Beograd. Po supozoj se kjo ka ndodhur për shkak të ndalimit të zyrtarëve të tyre e tash këta po duan të na kthejnë në të njëjtën mënyrë”, theksoi Maliqi.