Fundjava pa TVSH, ja sa para shpenzuan qytetarët


Nga 170 milion euro të planifikuara, qytetarët shpenzuan vetëm 8.5 milion euro në fundjavën pa TVSH për blerjen e produkteve vendore dhe pajisjeve IT. Këto janë të dhënat fillestare nga Drejtoria e të Ardhurave Publike. Shifra përfundimtare për atë se sa para kanë shpenzuar qytetarët do të dihet më 15 tetor, kur skadon afati për qytetarët për të skanuar llogaritë fiskale. Deri më tani, rikthimi i TVSH-së është vetëm një milion euro, gjë që është larg parashikimit të qeverisë e cila kishte paraparë kthimi të jetë 17 milion euro.

“Në fundjavën pa TVSH, pra në 10, 11 dhe 12 tetor të vitit 2020, qarkullimi i produkteve dhe shërbimeve vendore dhe pajisjeve kompjuterike, sipas llogarive fiskale të skanuara përmes aplikacionit TVSH-ja ime, arrin në 526 milion denarë”, tha Drejtoria e të Ardhurave Publike.