Dimitrovi dhe Nikollovski: Menjëherë të zbardhet rasti me Agjencinë për Fonde Evropiane


Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov ka reaguar për zhvillimet e fundit në Agjencinë për Fonde Evropiane, që sipas hulumtimi të “A1on”, doli se projektet që financohen nga Bashkimi Evropian nëpërmjet programit Erasmus+, kanë përfunduar në ndërmarrje private me veprimtari, floktari.

“I lexova informacionet e reja të serisë së gazetarisë hulumtuese rreth gjendjes në Agjencinë Nacionale për programe arsimore dhe mobilitet. Përshtypja është shqetësuese. Urgjentisht duhet të zbardhet rasti në tërësi. Duhet të hetohen të gjitha dyshimet dhe të zbardhet tërë pasqyra, sepse për shtetin vetëm një gjë është turp i madh nga spekulimet për dyshime për keqpërdorim të mjeteve të tatimpaguesve evropianë – dhe ajo është nëse në ato dyshime ka të vërteta”, tha Dimitrov.

Të njëjtën e ka kërkuar edhe zëvendëskryeministri për luftim të korrupsionit, Ljupço Nikollovski.
“Qeveria dhe unë si zëvendëskryeministër pres nga organet kompetente, që në afat sa më të shpejtë të realizojnë procedura adekuate, ta shqyrtojnë rastin dhe në kohë të informojnë për epilogun dhe gjetjet e tyre, gjegjësisht fazat e procedurës. Paralelisht me këtë, nëse vërtetohet se ekziston lëshim te funksionarët, në bazë të kodit etik do të kërkohet edhe përgjegjësi politike”, tha Nikollovski.

Ai ka nxitur publikun që të reagojnë, siç janë duke bërë edhe tash, pasi siç thotë, “pasi asnjë dyshim për keqpërdorim nuk duhet të fshihet”.