Zotimet e Kosovës dhe Serbisë në Washington se do t’i hapin ose lëvizin ambasadat e tyre në Jerusalem, kanë nxitur reagime në Bruksel duke thënë se këto veprime nuk janë në pajtim me politikat e BE’së. Por, pala kosovare këtë veprim e ka arsyetuar me faktin se Kosova është shtet i ri dhe se ka nevojë për sa më shumë njohje. Një zyrtar i BE’së me të cilin Gazeta Express ka folur sot edhe për tema tjera ka thënë se ky veprim do t’i kushtojë më shumë Serbisë.
Zyrtari europian ka thënë Serbia është në një fazë të avancuar të negociatave për anëtarësim me BE’në dhe se zotimi i saj në Washington se do ta zhvendosë ambasadën në Jerusalem do t’i bëjë më shumë telashe asaj në çështjen e anëtarësimit. Por, natyrisht Serbia nuk do të gjykohet vetëm në raport me këtë cështje, por edhe politika e saj e vizave, pastaj raportet ushtarake me vende si Rusia e Kina.
“Kosova është në një fazë të hershme të negociatave dhe se BE ka thënë se zotimi për të hapur ambasadë në Jerusalem është thënë që nuk është pajtim me politikën e jashtme të BE’së” ka thënë bashkëbiseduesi.
Izraeli ka vendosur ta njohë Kosovën më 4 shtator kur Kosova e Serbia nënshkruan marrëveshje për normalizim ekonomik me SHBA’të. Njohjen Kryeministrit Hoti ia kumtoi homologu i tij izraelit Benjamin Netanyahu nëpërmjet një videolidhjeje. Ndërkohë që njohja reciproke ndërmjet dy vendeve pritet të zyrtarizohet kur një delegacion i Kosovës të udhëtojë në Izrael. Data e kësaj vizite nuk është caktuar ende.