Kontesti bilateral ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë daton që nga pavarësia e Maqedonisë. Greqia nuk e pranon emrin “Republika e Maqedonisë” për arsye të rajonit që mban të njëjtin emër brenda kufijve grek. Pas pavarësismit nga Jugosllavia, në vitin 1991, Maqedonia ka kërkuar të njihet me emrin e saj kushtetues në Kombet e Bashkuara, por Greqia ka kundërshtuar njohjen ndërkombëtare të Maqedonisë, pasi nuk pranonte Kushtetutën, flamurin dhe emrin e shtetit.
Më 30 korrik të vitit 1992 Republika e Maqedonisë aplikon nën emrin kushtetues për anëtarësim në Kombet e Bashkuara. Njohja ndërkombëtare e Maqedonisë u definua në prill të vitit 1993, kur me unanimitet votash në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara u pranua anëtarësimi i saj në OKB. Megjithatë, për shkak të kundërshtimit të fqinjit jugor, Greqisë, Maqedonia u pranua me referencën e përkohshme IRJM. Më 7 prill 1993, Këshilli i sigurisë miratoi hyrjen e Maqedonisë me Rezolutën 817, në të cilën thuhej:
“Referenca “Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë” është referencë e përkohshme dhe përdoret derisa të zgjidhet kontesti.
Termi është referencë dhe jo emër, si pikëpamje neutrale në kontest. Kombet e Bashkuara nuk kanë mandat për të konfirmuar emrin e vendit.
Termi është për pëdorim vetëm në Kombet e Bashkuara dhe nuk është i detyrueshëm për çfarë do organizatë tjetër.
Termi nuk implikon se Republika e Maqedonisë ka çfarë do lidhje me ish-Jugosllavinë”.
Pas pranimit të Maqedonisë në OKB, ministri i atëhershëm i Jashtëm grek, Antonis Samaras, lëshoi koalicionin qeveritar të udhëhequr nga Demokracia e re dhe kjo solli rënien e Qeverisë greke, në krye të së cilës më pas erdhi Andreas Papandreu nga PASOK, i cili ndërpreu negociatat me Kombet e Bashkuara në tetor të vitit 1994.
Ndërkohë, në Kuvendin e Maqedonisë anëtarësimi i vendit në OKB me referencën e përkohshme u votua me vetëm 30 vota pro, 28 kundër dhe 13 të përmbajtura. VMRO DPMNE thirri zgjedhje të parakohshme dhe lëshoi parlamentin, pasi Kuvendi miratoi votëbesim i Qeverisë me 62 deputetë.
“Më 13 shtator të vitit 1995 Greqia dhe Maqedonia nënshkruan në Nju Jork Marrëveshjen e përkohshme me çka përfundimisht formalizuan marrëdhëniet bilaterale.
Maqedonia pranoi që të ndryshoi flamurin dhe të plotësoj pjesën e Kushtetutës ku thuhet se Maqedonia nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjërit prej vendeve fqinje.
Pala greke u obligua të mos pengoj anëtarësimin e Maqedonisë në institucionet ndërkombëtare, në NATO, OSBE dhe BE”.
Sipas kësaj marrëveshje, kërkesa për anëtarësim mund të jetë me emrin kushtetues, por Greqia e mban të drejtën për të bllokuar anëtarësimin nëse nuk është nën referencën e përkohshme.
“Në vitin 2004 Maqedonia aplikoi për anëtarësim në BE.
Në vitin 2005 mori statusin “vend kandidat”.
Në vitin 2008 në Samitin e NATO-s në Bukuresht, Greqia vendosi veto për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO”.
Palët kanë zhvilluar disa herë negociata me ndërmjetësim të përfaqësuesit të OKB-së, Metju Nimic, në përpjekje për të zgjidhur këtë kontest, megjithatë përpjekjet dështonin. Nimic ofronte disa propozime ndër vite si, Maqedonia e Epërme, Maqedonia e Re, Sllavo-Maqedonia dhe Maqedonia (Shkupi) të cilat janë refuzuar nga njëra ose nga të dyja palët. Raundi i fundit formal i negociatave të ndërmjetësit të OKB-së me përfaqësuesit e të dy vendeve ishte mbajtur në Nju-Jork në nëntor të vitit 2014. Ndërsa pas 3 viteve pauzë, negociatat rinisën në dhjetor të vitit 2017 në përpjekje për tejkalimin e dallimeve rreth emrit, po ashtu me ndërmjetësim të Nimicit.
11 dhe 12 dhjetor 2017 fillojnë negociatat në Bruksel mes Përfaqësuesit e Maqedonisë dhe Greqisë Vasko Naumovski dhe Adamantios Vasilakis me ndërmjetësuesin e OKB-së Metju Nimic
17 janar 2018 raundi i dytë i bisedimeve në Nju Jork
24 janar 2018 kryeministrat Zaev dhe Cipras takohen në Davos
(Maqedonia ndryshon emrin e autostradës dhe aeroportit të Shkupit që mbanin emrin “Aleksandri i Madh)
13 shkurt raundi i tretë i bisedimeve në Vjenë mes ministrave të Jashtëm dhe Nimicit
30 mars raundi i bisedimeve në Vjenë
11 dhe 12 prill ministrat takohen në Ohër
17 maj kryeministrat Zaev dhe Cipras takohen në samitin e Sofjes
24 dhe 25 maj ministrat dhe ndërmjetësuesi Nimic takohen në Nju Jork
27 maj Dimitrov dhe Kocias takohen në Bruksel (arrihen kornizat e marrëveshjes për emrin)
Pas dy bisedave telefonike të realizuara më 11 dhe 12 qershor, dy kryeministrat Aleksis Cipras dhe Zoran Zaev, në pres konferenca të mbajtura në të njëjtën kohë, kumtuan lajmin se palët arritën marrëveshje për të përmbyllur kontestin shumëvjeçar.